Djegja e Amazonës shkas për tensione ndërkombëtare!

Djegja e Amazonës shkas për tensione ndërkombëtare!

Djegja e Amazonës shkas për tensione ndërkombëtare!

Djegiet e jashtëzakonshme të pyjeve në Amazona bëhen shkas për tensione ndërkombëtare. Presidenti i Brazilit, Bolsonaro refuzoi këshillat që vijnë nga jashtë. “Qeveria braziliane është edhe më tej e hapur për dialog, që bazohet në të dhëna objektive dhe respekt të dyanshëm”, shkroi ai në twitter.

Ai kundërshtoi idenë e presidentit francez, Emmanuel Macron të trajtojë këtë temë në samitin e G7-s që fillon në Biarritz, Francë të shtunën. “Propozimi i presidentit francez, që të diskutojë problemet e Amazonës në samitin e G7-s, pa marrë pjesë vendet e rajonit, të le të mendosh për një mënyrë kolonialiste mendimi.” Më parë presidenti francez kishte shkruar në twitter. “Shtëpia jonë po digjet. Shprehimisht.” Ai u bëri thirrje vendeve të G7-s të trajtojnë këtë temë si “rast emergjent”.

Zjarret dyshohen se janë vënë nga fermerët

Brazili nuk është pjesë e samitit të 7 vendeve më të industrializuara. Bolsonaro shkroi, se atij i vjen keq që “presidenti Macron përpiqet që një çështje të brendshme të Brazilit dhe vendeve të rajonit të Amazonës ta instrumentalizojë për avantazhin e tij politik.”

Pas reagimeve nga e gjithë bota për djegien e pyjeve në Amazona, shprehen edhe Kombet e Bashkuara duke theksuar rëndësinë e pyjeve për planetin. “Ruajtja e pyjeve është me rëndësi vendimtare për luftën tonë kundër ndryshimit të klimës”, tha Stephane Dujarric, zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres.

Ndërkohë drejtësia braziliane ka filluar hetimet për zjarret në pyjet e Amazonës. Në shtetin federal Para do të hetohet, pse “dita e zjarrit” e thirrur nga fermerët para një jave nuk u bllokua. Sipas mediave, fermerët në jugperëndim të Paras në një aksion të koordinuar u kishin vënë zjarrin sipërfaqeve të mëdha përgjatë një rruge kombëtare për të krijuar tokë për bagëtitë.

Presidenti Bolsonaro, i cili fillimisht akuzoi organizatat ambientaliste për vënien e zjarreve, që të tërheqin vëmendjen dhe të hedhin hije mbi qeverinë e tij, tani po ndryshon qëndrim. Ai pranoi, se me gjasë zjarret mund të jenë vënë ilegalisht nga fermerët. /DW/

Close