Ashtu siç kemi paralajmëruar edhe dita e sotme po karakterizohet me mot të ngrohtë, edhe pse kemi vranësira, për arsye se ende gjendemi nën ndikimin e masave të ngrohta ajrore, ndërsa fronti i fuqishëm i ftohtë ajror ka shkaktuar stuhi shiu e bore në Slloveni, Kroaci dhe Bosnjë dhe Hercegovinë.
Edhe Mali i Zi ende gjendet në ndikimin e ajrit të ngrohtë, ndërsa vende-vende ka rrebeshe shiu, në bregdetin verior të vendit ka edhe rrebeshe të fuqishme dhe shtrëngata me vetëtima, bubullimë dhe breshër. Rrebeshe të fuqishme ka edhe në Hercegovinë, ndërsa më vonë priten edhe në Shqipëri.
Fronti i ftohtë në Kosovë arrin të mërkurën duke shkaktuar ulje të temperaturave dhe borë në viset kodrinore-malore. Fronti nuk pritet të jetë i fuqishëm sikur në Slloveni dhe Kroaci, megjithatë do të mjaftojë për ulje të theksuara të temperaturave dhe borë në viset kodrinore-malore duke mos përjashtuar ndonjë rrebesh ose fjollë bore edhe në viset pak më të ulëta të Republikës së Kosovës. Reshje bore priten në veri të Malit të Zi duke përfshirë edhe ultësirat si dhe në viset malore të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Pas disa ditëve me temperatura të larta gradualisht po hymë në një periudhë me mot të paqëndrushëm dhe me reshje të shpeshta atmosferike./Meteoballkan