Nesër në Kosovë do të mbajë mot me intervale kohore me diell dhe vranësira kalimtare. Ka gjasa të pakta për ndonjë rigë të izoluar shiu në ndonjë rajon.
Në Shqipëri nesër pritet të ketë mot me alternime kthjellimesh dhe vranësira të shpeshta. Në bregdet do të ketë riga shiu herë pas here, me mundësi edhe për ndonjë rrebesh të izoluar shiu.
Në Maqedoninë Veriore nesër pritet mot me intervale kohore me diell dhe vranësira kalimtare, ndërsa në Mal të Zi përpos intervaleve kohore me diell dhe vranësirave ka gjasa të ketë edhe ndonjë rigë lokale shiu.
Pasnesër në tërë rajonin do të mbajë mot me intervale të gjata kohore me diell dhe vranësira kalimtare, pra pa ndonjë ndryshim.
Edhe për vikend nuk pritet ndonjë ndryshim i madh i motit. Në Shqipëri do të fuqizohen erërat juglindore dhe lindore sidomos të dielën si pasojë e afrimit të një cikloni por i cili nuk do të kapë territoret tona sipas ecurive aktuale. Riga shiu kryesisht të dobëta mund të ketë në bregdet, jug dhe juglindje të Shqipërisë dhe disa pjesë të Maqedonisë, kurse në viset tjera do të mbetet kryesisht thatë.
Edhe temperaturat nuk pritet të pësojnë ndonjë ndryshim të madh./Meteoballkan
Image by: cristophermartinphotography.com