Nesër në Kosovë pritet destabilizim i motit. Parashihen intervale kohore me diell dhe shtim i vranësirave të cilat pritet të zhvillohen duke gjeneruar rrebeshe lokale shiu me vetëtima dhe bubullimë. Vende-vende mund të ketë kushte për ndonjë shtrëngatë të fuqishme kalimtare me rrebeshe intensive dhe mundësi për breshër, por në disa rajone nuk priten reshje. Rrebeshet nuk pritet që të zgjasin shumë me ndonjë përjashtim.
Temperaturat do të pësojnë ulje dhe fillimisht do të jetë nxehtë deri në zhvillimet konvektive, pastaj gjatë rrebesheve lokale dhe pas do të jetë më freskët.
Minimalja pritet të zbres deri në 14 gradë Celsius, kurse maksimalja pritet të arrijë deri në 28 gradë Celsius.
Në Shqipëri, Maqedoninë Veriore, Luginë të Preshevës dhe Mal të Zi nesër pritet të mbajë mot me diell dhe zhvillime të vranësirave të cilat do të kushtëzojnë rrebeshe lokale shiu me vetëtima, bubullimë dhe në disa zona mund të ketë edhe breshër. Në disa rajone mund të ketë shtrëngata të forta me breshër, rrebeshe intensive dhe shkarkesa të fuqishme atmosferike, ndërsa perëndimi i Shqipërisë do të jetë më stabil dhe kryesisht pa zhvillime.
Të Premten na pret mot kryesisht me diell dhe pak më i freskët, me vranësira të pakta lokale dhe temperatura maksimale afërsisht deri në 25 apo 26 gradë Celsius në Kosovë. Nuk priten reshje në asnjë rajon.
E shtuna me diell dhe stabil dhe më e ngrohtë. Edhe të dielën ngrohtë, por pasdite priten rrebeshe lokale shiu me vetëtima dhe bubullimë./MeteoBallkan















