Shqipëria e ka nisur shtatorin me temperatura të pazakonta, por rekordet më të forta nuk po regjistrohen domosdoshmërish gjatë ditës. Janë netët që po bëhen gjithnjë e më të nxehta.
Eksperti i klimës dhe gjurmuesi ndërkombëtar i rekordeve meteorologjike Maximiliano Herrera thotë se në shumicën e stacioneve kryesore meteorologjike në Shqipëri janë thyer rekordet e temperaturave minimale më të larta për muajin shtator.
“Në shumicën e stacioneve u thye rekordi i temperaturës minimale më të lartë për shtatorin”, tha Herrera për Albanian Post, duke iu referuar të dhënave të ditëve të para të muajit.
Më 1 shtator, temperatura minimale në Tiranë ishte 25.4°C, në Vlorë 25°C, ndërsa në Shkodër dhe Durrës 24.4°C. Një ditë më vonë, minimumi në Shkodër arriti në 24.5°C, ndërsa në Tiranë dhe Vlorë ishte 24.2°C.
Situata është edhe më ekstreme në rajon. Sipas Herrera-s, Kroacia, Bosnjë-Hercegovina dhe Mali i Zi regjistruan natën më të nxehtë të matur ndonjëherë gjatë shtatorit në nivel kombëtar.
Ndryshe paraqitet situata me temperaturat maksimale në Shqipëri. Deri tani, sipas ekspertit, vetëm Peshkopia ka thyer rekordin e saj të temperaturës maksimale për shtatorin.
Por Herrera tërheq vëmendjen pikërisht te netët. Sipas tij, gjatë dy-tre viteve të fundit, temperaturat minimale po thyejnë rekorde shumë më shpesh sesa temperaturat maksimale gjatë ditës.
Shpjegimi lidhet edhe me temperaturën e detit.
“Arsyeja duhet kërkuar te deti shumë i ngrohtë, i cili ndihmon më shumë në ruajtjen e nxehtësisë gjatë natës sesa gjatë ditës, për shkak të lagështisë më të lartë”, shpjegon Herrera.
Dhe fenomeni nuk kufizohet vetëm në Shqipëri apo Evropë.
“Kjo prirje e thyerjes së një sasie të jashtëzakonshme rekordesh të netëve të ngrohta, më shumë sesa e maksimumeve gjatë ditës, nuk është e kufizuar në Evropë. Është diçka që po e shohim në të gjithë botën”, tha ai.
Sipas Herrera-s, vala intensive e të nxehtit pritet të vazhdojë edhe për rreth një javë, çka mund të sjellë rekorde të tjera.















