Gjatë orëve të natës ose orëve të hershme të mëngjesit, afërsisht para agimit në Kosovë pritet destabilizim i atmosferës me rrebeshe lokale shiu me vetëtima dhe bubullimë. Kjo do shënojë edhe fillimin e largimit të ajrit të nxehtë veror pas një periudhe mjaft të gjatë kohore me temperatura mjaft të larta.
Nesër në Kosovë na pret mot ndjeshëm më i freskët, vende-vende me riga e rrebeshe lokale shiu të shoqëruara në disa rajone edhe me vetëtima dhe bubullimë. Temperaturat do të shënojnë ulje të ndjeshme dhe maksimalja pritet të zbres deri në 22 apo 23 gradë Celsius, pra të paktën 10 gradë më e ulët krahasuar me ditët paraprake.
Përpos vranësirave priten edhe intervale kohore me diell në disa zona. Më pak reshje priten në veri dhe lindje.
Stuhi me bubullima priten edhe në Shqipëri e më vonë pasdite edhe në Maqedoninë Veriore. Më pak reshje priten në Luginë të Preshevës e shumë më shumë në Mal të Zi.
Të gjitha viset do të përjetojnë së paku një valë reshjesh, por për shumë rajone nuk do të jenë të mjaftueshme. Më së paku reshje priten në lindje dhe veri të Kosovës si dhe në Luginë të Preshevës.
Temperaturat do të shënojnë ulje në të gjitha viset, megjithatë mbesin ende temperatura relativisht të larta në perëndim të Shqipërisë.
Vranësira lokale e diell priten të dielën dhe të hënën në Republikën e Kosovës, ndërsa temperaturat do të shënojnë rritje por jo shumë të theksuara. Në viset tjera priten më shumë kthjellime e diell e shumë më pak vranësira. Rrallë në ndonjë rajon mund të ketë ndonjë rigë shiu. Të martën mundësi për reshje lokale shiu e ulje kalimtare të temperaturave./MeteoBallkan
















