Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje të mëdha në Stamboll të Turqisë, duke përfshirë rrugë, banesa, biznese dhe nënkalime, ndërsa situata ka shkaktuar kaos në trafik dhe ka detyruar autoritetet të ndërmarrin masa emergjente.
Sipas raportimeve të publikuara më 15 tetor, dy persona kanë humbur jetën si pasojë e motit të keq. Një 14-vjeçar vdiq pasi u godit nga rryma elektrike kur shkeli në një pellg me ujë në lagjen Fatih, ndërsa një 34-vjeçar humbi jetën pasi rrëshqiti dhe goditi kokën në trotuar në distriktin Sarıyer.
Reshjet e fuqishme, të cilat intensifikuan gjatë së mërkurës dhe vazhduan edhe të enjten në mëngjes, përmbytën shumë rrugë dhe lanë automjete të bllokuara në ujë. Në disa zona, veturat u tërhoqën zvarrë nga rrjedha e ujit, ndërsa uji depërtoi në katet e ulëta të ndërtesave, bodrume dhe lokale afariste.
Situata më e rëndë u raportua në disa pjesë të qytetit, ku ekipet e shpëtimit punuan gjatë natës për të evakuuar qindra persona të bllokuar në vendet e tyre të punës. Gjithashtu, u raportuan rrëshqitje të dheut, dëmtime në rrugë dhe ndërprerje të qarkullimit në zona të ndryshme.
Sipas të dhënave të raportuara nga autoritetet, në disa pjesë të Stambollit janë regjistruar sasi jashtëzakonisht të mëdha të reshjeve. Në zonën Beykoz-Ömerli janë matur rreth 194 milimetra shi për metër katror, ndërsa në disa zona të tjera sasia ka kaluar 100 milimetra.
Për shkak të situatës, autoritetet vendosën pezullimin e mësimit në shkolla për të enjten, ndërsa disa kategori të punonjësve të sektorit publik u liruan nga puna. Gjithashtu, u ndalua përkohësisht qarkullimi i motoçikletave dhe qytetarëve iu bë thirrje të shmangin udhëtimet e panevojshme dhe zonat e rrezikuara nga përmbytjet.
Ekipet e emergjencës vazhdojnë të ndërhyjnë për largimin e ujit dhe për të ndihmuar personat e prekur nga vërshimet. Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve që jetojnë në bodrume dhe kate të ulëta të zhvendosen në vende më të sigurta.
Stambolli, një nga qytetet më të mëdha të Turqisë, po përballet kështu me një situatë të rënduar nga reshjet intensive, të cilat sipas autoriteteve kanë sjellë në disa zona nivelet më të larta të reshjeve që nga viti 1985.
















