Drejtoria e Arsimit në Prishtinë ka njoftuar se procesi mësimor për ditën e sotme është anuluar, për shkak të kushteve të përkeqësuara atmosferike, reshjeve të mëdha të shiut dhe vështirësive të krijuara në komunikacion.
Sipas njoftimit zyrtar, vendimi është marrë në koordinim me Drejtorinë e Sigurisë dhe Emergjencave, Drejtorinë e Shërbimeve Publike si dhe me drejtorët e shkollave.
Gjithashtu, anulimi është bërë në bashkërendim edhe me Kryetarin e Kryeqytetit, si masë preventive për të siguruar mirëqenien dhe sigurinë e nxënësve.
Drejtoria ka falënderuar prindërit dhe qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e tyre në këtë situatë të jashtëzakonshme.
















