Brezovica nuk është vetëm qendra më e madhe e skijimit në Kosovë, por edhe më e vjetra, kurse turistë këtu ka pasur që nga koha e ish-Jugosllavisë.
Qendra e skijimit ndodhet 12 kilometra larg fshatit Brezovicë të Komunës së Shtërpcës. Ata që nuk kanë vetura, ose nuk udhëtojnë me autobus dhe vendosin të shkojnë me taksi, duhet të llogaritin edhe shpenzime tjera, pasi një taksi nga Ferizaj kushton 25 euro. Rruga është e pastruar pothuajse deri në fund, e aty duhet të kesh pajisjet e duhura, ose të kesh fat, por ndoshta edhe të ndihmohesh, siç ndodhi në rastin tonë: pasi taksi nuk shkonte më, disa djem të ri na erdhën në ndihmë. Kohët e fundit ka shumë organizime dhe shkuarja në Brezovicë nuk është problem.
Aty ku përfundon edhe politika
Qendra menaxhohet nga serbët, por vizitohet nga shqiptarët. Politika ka qenë thembra e Akilit për Brezovicë. Teleferiku herë punon e herë jo, ndërsa ankesat janë të kota. Janë premtuar investime, e ka pasur shumë pengesa. Megjithatë, po të arrish në Brezovicë, kupton se nuk ka politikë dhe turistët kanë ardhur në fundjavë, për t’u çlodhur, për t’u larguar nga problemet e përditshme e për të vizituar këtë qendër të madhe të skijimit. Madje, as serbët nuk e dëshirojnë këtë situatë. Rrugës deri në qendër sheh shumë vila që janë të shqiptarëve, kurse më së larti janë hotelet ‘Narcis’ dhe ‘Molika’. Çmimet e tyre ndryshojnë varësisht nga sezoni. Derisa kur nuk ka shumë turistë, çmimi për një natë kushton 12 euro për person, më pas çmimet variojnë nga 20-30 euro për person. Por, në Brezovicë i ke të gjitha. Edhe nëse ke arritur pa pajisje sportive, kjo nuk është shumë problem, pasi në ‘Ski Servis’ i ke të gjitha dhe me çmime jo shumë të larta. Me 5 euro mund të shfrytëzosh pajisjet për një ditë.
Perla e Ballkanit
Sapo mbërrin në qendrën e skijimit ndryshon klima dhe pamja. E kupton se çfarë bukurie ka kjo perlë e Ballkanit. Por, teleferiku e ski-lifti nuk punon deri në ora 09:00. Për të arritur në maje duhet të shkosh me teleferik e nga aty të shijosh pamjet madhështore, e pistat e kërkuara. Njëra nga më të kërkuarat është Livadhi i Madh. Në këtë pistë ka skitarë profesionistë e amatorë, por edhe fëmijë. Pas kësaj piste, ka edhe shumë të tjera, si ajo Qafa e Shqiponjës, që konsiderohet edhe si pista më e vështirë. Kjo nuk është pistë e gjatë, por e kërkuar nga ata që merren me sporte ekstreme. Numri i vizitorëve është i madh, sidomos në fundjavë, dhe të gjithë duken se po shijojnë këto bukuri. “Më pëlqejnë pistat dhe malet. Nuk është hera e parë që po vi dhe sigurisht se nuk do të jetë e fundit”, thotë një vizitor, i cili duket se i njeh shumë mirë këto shtigje. Një pistë tjetër është edhe Qafa e Luanit.
Brezovicën e vizitojnë edhe turistë nga Shqipëria. Por, turistë ka edhe të huaj. Një çift ishte nga Çekia. “Ky vend duhet të eksplorohet më shumë. Nuk besoja se do të ishte kështu”, thonë ata. Kur je në 2200 metra lartësi mbidetare edhe ajri është më i mirë dhe i shëndetshëm. Kur zbret nga lartë sheh që qendra është e pushtuar nga fëmijët e familjarët. Disa kanë ardhur me pajisje të tyre e disa i kanë marr me qira, por të gjithë po kënaqen. Kur e sheh gjithë bukuri, menjëherë të shkon mendja se sa ka nevojë për investime që Brezovica të jetë njëra nga qendrat më të vizituara në Ballkan dhe Evropë.
Vilat kushtojnë shumë shtrenjtë, ndërsa të pasurit që i kanë ato, i shesin vetëm për qindra mijëra euro. Të tjerët që nuk kanë këso kushte, vijnë për një ditë ose dy, kurse më poshtë ka edhe motele të ndryshme që kushtojnë edhe më lirë. Çmimi është 10 euro për person, ndërsa edhe ushqimi është me çmime të arsyeshme. Ata që ndodhen në Brezovicë kanë një mesazh: Ejani dhe vizitojeni këtë bukuri madhështore.
Lartësia mbidetare deri 2522 metra
Brezovica gjendet në lartësi mbidetare prej 900 deri në 2,522 metra, me një hapësirë prej 2,500 hektarësh dhe është larg vetëm 60 kilometra nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës
Teleferiku të çon deri në lartësinë 2112 metra
Stacioni më i ri i nisjes së teleferikut është vendosur në “Livadhin e Madh”, në një lartësi prej 1 718 metra mbi nivelin e detit, ndërsa stacioni i mbërritjes nga ky teleferik është vendosur në 2 212 metra lartësi mbi det.
Pa politikë dhe pa incidente
Edhe pse e administruar dhe e menaxhuar kryesisht nga komuniteti serb, qendra e skijimit të Brezovicës frekuentohet rregullisht dhe pa probleme apo incidente nga ana e kosovarëve, të cilët shkojnë rregullisht fundjavave aty për t’u argëtuar, me grupe shoqërore ose me familjet e tyre.
Dhe, ia vlen te vini në Brezovicë se do të kënaqeni dimrit më shumë por pse jo edhe verës…Ia vlen ta provoni! Nga Prizreni e keni më lehtë dhe më shkurtë të truponi, rrugës së asfaltuar nëpër Prevallë kurse për ata që vijnë deri në Prishtinë për të pushuar cazë atëherë u duhet ta marrin rrugën për Ferizaj dhe pas disa kilometrave në këtë rrugë autostradë ndahet rruga në Brezovicë dhe Glëloboçocë që është pika kufitare me Maqedoninë prej nga e keni shumë afër qytetin e Tetovës…/Dritare.net