Sot dhe sonte rajoni ynë ka qenë, është dhe do të jetë nën ndikimin e masave të fuqishme të thata anticiklonike të cilat garantojnë mot stabil por edhe nën ndikimin e masave ajrore të ftohta me origjinë polare. Edhe sonte do të kemi acar dhe ka mundësi që të ketë edhe mjegull.
Edhe nesër i tërë rajoni ynë do të vazhdojë të jetë nën ndikimin e këtyre masave ajrore të thata, por gjatë ditës do të kemi ngritje graduale të temperaturave.
Pra nesër si në Kosovë, poashtu edhe në Shqipëri, Maqedoni dhe Mal të Zi na pret një mëngjes i ftohtë dhe vende-vende me mjegull kurse gjatë ditës pritet të kemi intervale kohore me diell me përjashtim të atyre rajoneve ku eventualisht mjegulla do të pengojë rrezet e diellit.
Të Shtunën pritet destabilizim i motit ku fillimisht në Mal të Zi dhe veriun e Shqipërisë do të kemi reshje shiu, pastaj reshjet e shiut do të përfshijnë edhe Kosovën dhe pjesët tjera të Shqipërisë dhe Maqedoninë. Në viset malore priten reshje bore. Vende-vende priten edhe reshje të dendura shiu por jo afatgjata. Në viset malore priten reshje afatshkurtëra të dendura bore. Gjatë natës nuk përjashtohet mundësia që reshje afatshkurtëra bore të ketë edhe në disa qytete të Republikës së Kosovës dhe në ekstremin verior dhe verilindor të Shqipërisë. Reshjet do të ndërpritën gjatë natës kurse të dielën na pret mot i ndryshueshëm dhe me erëra drejtimesh të ndryshme. Në mbrëmje dhe natën do të kemi vorbullën e re ciklonike e cila do të na sjellë reshje të reja atmosferike.
Informacione dhe detaje tjera në postimet tona të ardhshme./Meteoballkan.