Këtë vendim e ka marrë kryetari i kësaj Komune, Qemajl Aliu, pas daljes në terren gjatë orëve të mbrëmjes, ku nga afër vlerësoi gjendjen e rënduar të krijuar nga reshjet e pandërprera.
“Të nderuar qytetarë, reshjet e pandërprera të ditëve të fundit kanë shkaktuar vështirësi serioze në disa zona të komunës. Duke u bazuar në kompetencat dhe përgjegjësitë tona institucionale, kam marrë vendimin që në gjithë territorin e Komunës së Shtimes të shpallim gjendje emergjente, me qëllim që të reagojmë me efikasitet dhe të mbrojmë sigurinë e të gjithëve”- ka thënë Aliu.
Komunarët njoftojnë se gjatë ditës së nesërme pritet të mblidhet sërish Shtabi Emergjent, i cili edhe tashmë gjendet në terren dhe po zhvillon veprimet e nevojshme për menaxhimin e situatës.
“Nga orët e hershme të mëngjesit, të gjitha drejtoritë komunale me njësitë dhe shërbimet vartëse, si dhe me mbështetjen e Shërbimit të Zjarrfikësve dhe Policisë, janë angazhuar maksimalisht për ta mbajtur situatën nën kontroll”- thuhet më tej në komunikatë.
Në disa fshatra gjendja paraqitet më e rënduar, por sipas Komunës, ekipet dhe shërbimet komunale me makineri të specializuar janë duke ndërhyrë me kujdes për trajtimin e dëmeve të shkaktuara dhe garantimin e sigurisë së qytetarëve.
“Komuna e Shtimes u bën thirrje banorëve të jenë të kujdesshëm dhe të ndjekin njoftimet zyrtare deri në normalizimin e plotë të situates”- theksohet në njoftim.

















