Temperaturat kanë kulmuar sot në territoret tona duke arritur deri në 40 gradë Celsius në Maqedoninë Veriore dhe disa nga zonat më të nxehta të Shqipërisë, ndërkohë deri në 12 e gjysmë në Kosovë temperatura maksimale ka arritur deri në 36 gradë Celsius dhe normalisht deri vonë pasdite mund të ketë rritje deri në 38 gradë Celsius.
Përderisa temperaturat në pjesën jugore të Ballkanit po “vlojnë” në anën tjetër në qendër të Evropes kemi frontin e ftohtë dhe erëra e shi në Zvicër e pjesë të Austrisë.
Fronti do të përfshijë edhe Slloveninë dhe Kroacinë me stuhi të izoluara, por potencialisht të fuqishme me breshër. Për shkak se fronti do të dobësohet pak sidomos në aspektin e lagështisë nuk priten reshje të mëdha, por stuhi të izoluara që mund të jenë mjaft të fuqishme të cilat nuk kapin shumë territor.
Fronti i ftohtë do të përparojë në drejtim të juglindje respektivisht në drejtim të viseve tona duke u dobësuar, megjithatë do të ketë stuhi lokale edhe në viset tona dhe ulje të temperaturave.
Sonte gjatë natës stuhi të fuqishme mund të përfshijnë pjesë të Sllovenisë, Kroacisë dhe pastaj më vonë në Vojvodinë.
Të Premten fronti i ftohtë avanson drejt Bosnjes dhe Hercegovinës, pjesës më të madhe të Serbisë, pastaj veriut të Malit të Zi dhe në fund arrinë edhe në viset tona.
Të Premten pasdite në Kosovë priten zhvillime të fuqishme konvektive me rrebeshe lokale shiu me vetëtima, bubullimë dhe mundësi për breshër. Rrebeshet do të jenë të karakterit lokal, por vende-vende mund të ketë furtunë të fuqishme me breshër. Në disa zona prapë nuk priten fare reshje sepse e tillë është natyre e këtyre reshjeve kalimtare verore.
Pas Kosovës shumë shpejt zhvillime lokale priten edhe në Luginë, Maqedoninë Veriore dhe pak edhe në disa pjesë kontinentale të Shqipërisë.
Pas këtij fronti që vjen të Premten vonë do të pasojë ulja e temperaturave, edhe pse normalisht reshjet nuk do të jenë fare gjithëpërfshirëse, por disa rajone do të përfitojnë e disa jo.
Fundjava vjen më e këndshme dhe më e freskët me mundësi për reshje të pakta lokale të shtunën ,ndërsa të dielën stabilizim i plotë i motit dhe rritje e sërishme e temperaturave.
Në fund vlenë të theksojmë se ky destabilizim nuk do të prekë fare viset bregdetare ose shumë pak./MeteoBallkan