Sot në Kosovë pritet të mbajë mot mjaft i nxehtë dhe me zagushi. Nga mesdita apo pasdite do të fillojnë zhvillime të fuqishme të vranësirave konvektive, ku vende-vende mund të ketë rrebeshe shiu me vetëtima, bubullimë dhe mundësi për breshër. Sipas parashikimeve këto zhvillime do të jenë më të koncentruara në viset kodrinore-malore në jug, lindje dhe verilindje të Kosovës, lokalisht edhe në viset tjera, por të gjitha mbesin zhvillime të karakterit lokal. Mund të ndodhë edhe ndonjë stuhi e fuqishme me breshër.
Temperatura maksimale pritet të arrijë deri në 33 apo 34 gradë Celsius, për tu freskuar përkohësisht në zonat e zhvillimeve konvektive dhe rrebesheve të izoluara.
Në Shqipëri, Maqedoninë Veriore, Luginë të Preshevës dhe Mal të Zi nesër pritet të mbajë mot me diell dhe vranësira të cilat do të zhvillohen orëve të pasdites duke kushtëzuar rrebeshe lokale shiu me vetëtima, bubullimë dhe mundësi për breshër. Rrebeshe intensive me breshër mund të ketë në shumë vise në Maqedoninë Veriore dhe lokalisht në juglindje dhe lindje të Shqipërisë si dhe në ndonjë zonë në Luginë të Preshevës. Në të gjitha viset tjera që nuk i përmendëm pritet mot me diell dhe mjaft i nxehtë, me pak mundësi për ndonjë zhvillim dukshëm më të izoluar.
Edhe dita e Premte parashihet të jetë e nxehtë dhe me mundësi për zhvillime në disa vise në Maqedoninë Veriore dhe juglindje të Kosovës. Këto zhvillime do të jenë të izoluara dhe vijnë orëve të pasdites.
Fundjava shumë e nxehtë dhe kryesisht me diell. Të shtunën ende mund të ketë ndonjë zhvillim të izoluar në Maqedoninë Veriore. E Diela shumë e nxehtë dhe stabile. Të Hënën fronti i ftohtë sjellë ulje të ndjeshme të temperaturave, por do të jetë i thatë ose me reshje krejtësisht të pakta./MeteoBallkan