Java filloi paksa më e freskët krahasuar me shumë shumë ditë të nxehta gjatë kësaj vere, por nxehtësia mbeti përkundër rrebesheve lokale të shiut me vetëtima dhe bubullimë dhe ndjenja e lartë e zagushisë mbeti prezente.
Rrebeshe shiu të hënën pati në shumë rajone, por prapëseprapë shumë më pak se që ishte paraparë, prandaj me të drejtë shumë mbetëm të pakënaqur duke pas para sysh thatësinë shumë ekstreme që po mbretëron këtë verë.
Java tani e tutje vijon me rritje të sërishme të temperaturave, por në Gjirin e Gjenovës në Itali kemi krijimin e një cikloni të shtresave të larta atmosferike dhe pikërisht ky ciklon do të kushtëzojë njëkohësisht rritjen e temperaturave, fillimin e erërave jugperëndimore dhe pastaj destabilizim të fuqishëm të motit sidomos në pjesë të Shqipërisë dhe në Mal të Zi natën mes të Enjtes dhe të Premtes. Disa stuhi mund të depërtojnë edhe në Kosovë, por prapë nuk pritet të kemi reshje gjithëpërfshirëse.
Pra, deri të Enjten vonë në mbrëmje do të kemi me diell dhe mjaft të nxehtë me fuqizim gradual të erërave jugperëndimore.
Të Enjten vonë fillimisht në Mal të Zi pastaj edhe në shumë pjesë të Shqipërisë pritet të kemi krijimin e disa stuhive të fuqishme të shiut me vetëtima dhe bubullimë. Këto stuhi do të përfshijnë edhe bregdetin shqiptar fillimisht jugun e Malit të Zi, pastaj veriu e veriperëndimi i Shqipërisë deri në qendër. Është paksa e paqartë se si ndonjë nga këto stuhi mund të depërtojnë edhe në Kosovë, por mund të ndodhë.
Temperaturat do të shënojnë ulje pas këtyre reshjeve dhe stuhive lokale, por të theksuara.
E Premtja dhe fundjava vijojnë me temperatura më të këndshme dhe me mundësi për ndonjë reshje lokale, por sipas ecurive aktuale sinoptike nuk do të ketë reshje të theksuara dhe ato të ndodhin vetëm në disa rajone, prandaj thatësia do të vazhdojë. Vetëm stuhitë eventuale të natës mes të Enjtes dhe të Premtes do të mund të zbusin sadopak thatësinë sidomos në rajonet në veri dhe veriperëndim të Shqipërisë deri te pjesët qendrore dhe Mal të Zi. Kjo natë mund të jetë interesante edhe për rajonet e Kosovës sidomos në kufi me Malin e Zi, por kjo mbetet të shihet./
Ishin këto pak fjalë për motin gjatë kësaj jave. Me arritjen e turbulencës në Mal të Zi dhe Shqipëri ndryshime në parashikim mund të ketë dhe për çdo ndryshim eventual do të njoftoheni në postimet tona të përditshme./MeteoBallkan