Ciklonet e fuqishme tashmë gjenden shumë larg në Oqeanin Atlantik dhe Britaninë e Madhe, ndërsa në rajonin tonë janë zhvilluar masa të fuqishme ajrore anticiklonike. Këto masa ajrore garantojnë mot stabil dhe pa reshje atmosferike.
Fillimi i javës ishte mjaft i ftohtë veçanërisht gjatë natës dhe mëngjesit, por kjo pritet të ndryshojë gjatë vazhdimit të javës, ngase nga Mesdheu kemi zhvillimin e anticiklonit të fuqishëm afrikan.
Ky anticiklon do të zhvendoset gradualisht drejtë rajonit tonë duke mundësuar vazhdimin e kushteve stabile të motit, por njëkohësisht rritjen e temperaturave. Temperaturat më shumë do ti gjasojnë muajit Mars se sa fundit të Dhjetorit.
Pra, gjatë tërë kësaj jave na pret mot stabil dhe pa reshje atmosferike. Priten intervale të gjata kohore me diell dhe vranësira të pakta lokale. Mëngjeset dhe netët do të jenë të ftohta, por i ftohti do të zbutet afër fundjavës.
Temperaturat gjatë fundjavës do të vazhdojnë të rriten dhe në Kosovë mund të kalojnë shifren 15 , ndërsa në Shqipëri afër 20 gradë Celsius. Kjo është një ekstrem sidomos për Kosovën dhe viset tjera kontientale të rajonit, ngase për rajonet mesdhetare nuk është aq ngjarje ekstreme meteorologjike.
Pra, pas reshjeve të dendura atmosferike, pason një javë me mot të thatë dhe rritje graduale të temperaturave.
Për çdo ndryshim eventual në parashikim të motit do të njoftoheni në postimet tona të përditshme./MeteoBallkan