Nesër në Kosovë pritet të vazhdojnë reshjet atmosferike, vende-vende nganjëherë intensive. Priten reshje shiu, shqote, shi i ngrirë dhe borë, pra një laramani prej reshjeve varësisht nga rajoni në rajon dhe temperatura.
Pasdite apo në mbrëmje do të fillojnë të fryjnë erëra të ftohta nga veriu dhe priten ulje të ndjeshme të temperaturave dhe kjo do të shënojë fillimin e depërtimit të masa të ftohta polare. Të gjitha reshjet do të shndërrohen në reshje bore dhe njëkohësisht lokalisht do të fillojë ulja e intensitetit të reshjeve. Në viset malore reshje bore gati tërë ditën. Pas mesnate do të ketë ulje intensive të temperaturave në të gjithë Kosovën.
Në Shqipëri nesër pritet të mbajë mot plotësisht i vranët dhe me reshje të dendura shiu e rrebeshe lokale shiu me vetëtima dhe bubullimë dhe breshër. Në lindje, juglindje dhe veri të vendit lokalisht priten reshje të përziera dhe reshje bore. Reshje lokale nesër priten edhe në Maqedoninë Veriore dhe Luginë të Preshevës. Në mbrëmje ulje e temperaturave me reshje lokale bore.
E diela vjen e ftohtë, me temperatura polare dhe reshje të pakta lokale bore. Do të fryjnë erëra mjaft të ftohta nga veriu dhe në Dukagjin do të ketë intervale kohore me diell. Intervale me diell do të ketë edhe në shumë pjesë të Shqipërisë sidomos në perëndim, kurse në lindje dhe juglindje reshje bore.
E Hëna do të jetë ditë e akullt dhe e thatë. Mëngjesi i së martës me acar të fuqishëm, kurse dita me zbutje graduale të acarit./MeteoBallkan
















