Nesër në Kosovë pritet të mbajë mot i ftohtë, me kalime vranësirash dhe me intervale kohore me diell. Në Dukagjin kryesisht me diell dhe shumë pak vranësira, ndërsa në viset tjera herë diell e herë vranësira me ndonjë reshje të dobët bore në ndonjë zonë kodrinore-malore.
Temperaturat pritet të lëvizin nga -10 minimalja deri në 0 gradë Celsius maksimalja.
Në Shqipëri, Maqedoninë Veriore, Luginë të Preshevës dhe Mal të Zi nesër pritet të mbajë mot me diell dhe vranësira dhe me ulje të ndjeshme të temperaturave. Gjatë mëngjesit të hershëm vranësira priten në lindje dhe juglindje të Shqipërisë me reshje kalimtare bore, kurse gjatë ditës në gati të gjitha viset pritet mot me diell dhe vranësira të pakta lokale.
Nata e Vitit të Ri në të gjitha viset do të jetë e kthjellët dhe shumë e ftohtë, me temperatura në “Minus” në të gjitha viset, madje edhe në viset bregdetare lokalisht temperatura do të kalojë në “minus”. Në Kosovë temperaturat minimale pritet të luhaten nga -6 deri në -11 gradë Celsius. Edhe në pjesën më të madhe të Shqipërisë priten temperatura nga -4 në zonat e ulëta deri në -20 thellë në veri të vendit. -20 pritet të jetë edhe në bjeshkët e Plavës në Mal të Zi.
Edhe dita e parë e Janarit do të jetë mjaft e ftohtë, por me zbutje graduale të acarit.
Të premten shtim i vranësirave me reshje lokale fillimisht në Shqipëri dhe Mal të Zi, pastaj edhe në pjesë të Kosovës. Vranësirat e reshjeve në kontakt me mbetjet e acarit polar vende-vende mund të sjellin reshje shqote e bore, por pastaj me rritjen e temperaturave ato shndërrohen në reshje shiu./MeteoBallkan















