Sot në Kosovë do të mbajë mot kryesisht i thatë, me vranësira kalimtare dhe intervale kohore me diell. Pasdite në disa rajone ka mundësi që të ketë ndonjë rigë shiu.
Edhe në Shqipëri sot gjatë ditës mot kryesisht i vranët dhe me ndonjë rigë apo rrebesh shiu lokal. Në mbrëmje në jug dhe jugperëndim të vendit pritet të fillojnë reshje të dendura shiu, të shoqëruara lokalisht edhe me rrebeshe shiu me vetëtima dhe bubullimë. Gjatë natës reshjet do të intensifikohen dhe do të shtrihen në tërë territorin e Republikës së Shqipërise. Priten reshje të dendura shiu, kurse vende-vende edhe rrebeshe të fuqishme shiu me vetëtima dhe bubullimë.
Në Maqedoni sot mot me vranësira kalimtare dhe intervale kohore me diell. Gjatë mbrëmjes dhe natën pritet shtim i vranësirave. Në Mal të Zi më shumë gjasa për reshje lokale shiu gjatë ditës së nesërme. Gjatë orëve të vona të natës reshjet nga Shqipëria do të fillojnë të depërtojnë edhe në Maqedoni dhe pjesë të Kosovës.
Mëngjesin e së hënes reshje shiu priten në perëndim të Kosovës të cilat gradualisht do të shtrihen në pjesët tjera të Republikës së Kosovës, ndërkohë që reshjet do të vazhdojnë në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut. Pra, gjatë ditës së hënë reshje shiu priten edhe në Kosovë, kurse lokalisht mund të ketë edhe rrebeshe të fuqishme shiu me vetëtima dhe bubullimë.
Edhe ditëve të ardhshme në tërë rajonin pritet të kemi mot jostabil me intervale kohore me diell, vranësira të dendura, herë pas here riga shiu si dhe lokalisht rrebeshe të fuqishme shiu me vetëtima dhe bubullimë./Meteoballkan