Kanë mbetur edhe dy ose tri ditë nën “pushtetin anticiklonik” që ka kushtëzuar shumë ditë stabile, por me mjegull dhe prishje të cilësisë së ajrit. Rajonet që kanë më shumë diell janë viset kodrinore-malore.
Shumë zona të ulëta sidomos në pjesë të Dukagjinit kanë mjegull për shumë shumë ditë pa pushim.
Gjendja do të fillojë të ndryshojë gradualisht me ardhjen e një mase të fuqishme jo-stabile nga Atlantiku në Mesdhe diku mes Spanjes dhe Frances. Mesdheu do të trazohet nga ajri i Atlantikut dhe do të krijohen masa ajrore ciklonike me qendër në Mesdheun perëndimor. Këto masa ajrore do të fillojnë gradualisht të ndikojnë në viset tona ditën e martë me shtim të vranësirave dhe reshje lokale shiu.
Ky ciklon në viset tona aktivizon erëra jugore, prandaj reshjet do të jenë në formë shiu e borë vetëm në viset malore. Lajmi i mirë është se pritet përmirësimi i cilësisë së ajrit dhe largimi i mjegullës.
Reshjet do të fillojnë të martën në shumë pjesë të Shqipërisë, por shumë të pakta në Kosovë sipas ecurive aktuale.
Me kalimin e ditëve të javës masat ciklonike mesdhetare do të vazhdojnë të jenë shumë aktive, ndërsa nga veriu pritet që përmes periferisë së anticiklonit skandinav të depërtojnë masa të ftohta ajrore në drejtim të Evropes qendrore fillimisht, pastaj mbetet e paqartë.
Me fillimin e ndikimit ciklonik mjegulla do të largohet dhe priten reshje lokale, të herëpashershme shiu. Temperaturat do të rriten sepse cikloni do të aktivizojë erërat e ngrohta jugore në viset tona, por pastaj varet nga pozicionimi i saktë i ciklonit nëse situata do të kthehet në dimërore afër fundit të javës së re. Këtu mbeten shumë kushte për tu plotësuar dhe situata është ende mjaft enigmatike. Fjolla bore në Kosovë priten në daten 26 apo 27 Dhjetor sipas ecurive më të fundit sepse erërat e ftohta veriore do të vonohen pak.
Ajri i ftohtë polar i “liruar” nga vorbulla polare gjithsesi se do të godasë pjesë të Evropës, por është e paqartë ende se ku saktësisht dhe në çfarë përmasash dhe kjo varet tërësisht nga gjendja sinoptike dhe pozicionet e sakta të masave ajrore ciklonike dhe anticiklonike, prandaj situata është ende e paqartë për fundin e vitit.
Potencial ka për skenar të vërtetë dimëror dhe është opsion më i besueshëm por mund të ndodhë që e tëra të kalojë me erëra jugore dhe ky opsion mbetet më pak i besueshëm por mbetet ende i hapur.
E rëndësishme është se po hymë në një periudhë me atmosferë dukshëm dhe ndjeshëm më dinamike dhe me ajër më të pastër, por mbetet të shihet se a do të kemi ndonjë goditje të fuqishme dimërore apo jo. Gjasat janë të mira tani për tani. “Goditja dimërore” është pothuajse e paevitueshme këtë dimër, por koha e saktë mbetet të shihet./MeteoBallkan














