Sot në Kosovë pritet të kemi mot kryesisht me diell dhe mjaft të nxehtë. Do të fillojnë të fryjnë erëra të lehta, mesatare e në disa rajone nganjëherë të fuqishme nga jugperëndimi. Temperaturat do të luhaten nga 14 minimalja deri në 32 apo 33 ajo maksimale.
Në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Luginë të Preshevës dhe Mal të Zi e Mërkura pritet të karakterizohet me mot me diell dhe të nxehtë veror. Gjasat për ndonjë reshje do të jenë shumë të pakta dhe pothuajse xero. Temperaturat do të rriten sepse do të fillojnë të fryjnë erëra nga perëndimi dhe jugperëndimi të cilat gradualisht do të fuqizohen.
Edhe më nxehtë dhe me zagushi do të jetë dita e Enjte dhe po ashtu me diell. Në mbrëmje në Mal të Zi priten vranësira të dendura që do të kushtëzojnë stuhi shiu me vetëtima dhe bubullimë. Më vonë stuhi shiu mund të përfshijnë edhe veriun dhe veriperëndimin e Shqipërisë, pastaj edhe pjesë të Republikës së Kosovës (kryesisht Dukagjin, por mund të ndodhë lokalisht edhe disa pjesë tjera të Kosovës) dhe pjesë tjera në Shqipërisë nga veriu në jug. Sipas disa modeleve stuhi të forta mund të ketë nga veriu-qendra deri në perëndim të Shqipërisë, ndërsa stuhi më pak intensive priten në jug sepse këto sisteme do të humbasin energjinë e madhe me depërtimin deri në jug të Shqipërisë.
Të Premten pritet mot i ndryshueshëm, me diell dhe në disa vise me vranësira dhe rrebeshe lokale shiu me vetëtima dhe bubullimë. Shumë pjesë të Maqedonisë dhe Kosovës kryesisht pa reshje. Temperaturat do të shënojnë ulje të lehta dhe vetëm në zonat me reshje paksa më të ndjeshme./MeteoBallkan