Në këto momente fronti i ftohtë po i afrohet Ballkanit, megjithatë derisa të arrijë në Kosovë ka ende kohe. Në Kosovë fronti do të arrijë vonë në mbrëmje dhe do të shoqërohet me erëra të fuqishme veriore dhe reshje lokale bore. Gjithashtu do të kemi edhe ulje rapide të temperaturave. Pas kalimit të frontit në Detin Jon do të krijohet një ciklon i cili do të tërheqë edhe më shumë ajrin e ftohtë Siberik në drejtim të rajonit tonë.
Reshje lokale bore priten në Kosovë, kurse reshje pak më të theksuara në Shqipëri dhe Maqedoni. Temperaturat do të ulen dukshëm në tërë rajonin. Gjatë ditës së nesërme në Kosovë temperatura vështirë se do të arrijë mbi 0 gradë celsius, ku gjithashtu priten edhe erëra të ftohta veriore me reshje të herëpashershme dhe lokale bore. Do të jetë kjo goditja më e fuqishme dimërore për muajin Shkurt, megjithatë nuk do të zgjasë shumë dhe nga java e ardhshme pritet përmirësim gradual i motit. Temperaturat do të ulen nën 0 por ndjesia subjektive e të ftohtit do të jetë shumë e fortë për shkak të erërave të ftohta veriore./Meteoballkan