Gjatë ditëve të ardhshme në Mesdhe do të fuqizohen masat ajrore ciklonike të cilat do të sjellin reshje të shpeshta atmosferike jo vetëm në viset tona, por në gati tërë Ballkanin dhe shumë pjesë të Evropës.
Pozicionimi i ciklonit do të jetë në atë formë që në drejtim të viseve tona do të tërheqë masa të ngrohta ajrore nga Mesdheu dhe Afrika veriore, prandaj reshjet do të jenë kryesisht në formë shiu të paktën deri të mërkurën. Në anën tjetër cikloni që nga Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia dhe Sllovenia do të tërheq masa të ftohta ajrore, prandaj priten reshje të dendura bore që do të krijojnë shtresa të trasha bore, madje në pjesë të Bosnjës dhe Hercegovinës trashësia e borës mund të arrijë deri në 1 metër.
Reshje të shpeshta bore do të fillojnë shumë shpejt dhe do të vazhdojnë gjatë dy tri ditëve të ardhshme në Serbi, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kroaci dhe Slloveni, madje reshje bore priten edhe në disa ultësira të Italisë.
Ajri mjaft i ftohtë Arktik ka përfshirë shumë pjesë të Kontinentit të Evropës që nga Britania e Madhe ku reshje të dendura bore ka sidomos në Skoci, por edhe në disa pjesë tjera të Britanisë. Reshje bore ka edhe në Skandinavi dhe Rusi ku çdo dimër është i zakonshëm të ketë reshje të dendura bore.
Reshjet e borës kanë përfshirë edhe shumë territore ku dimri kohëve të fundit nuk po tregon fare ashpërsi si në shumë vise të Gjermanisë, Francës dhe Spanjës, madje edhe në disa pjesë të Portugalisë priten reshje bore.
Reshjet më të dendura të borës kësaj radhe priten shumë afër nesh, gjegjësisht në Bosnjë dhe Hercegovinë, pastaj në pjesë të Kroacisë dhe Sllovenisë në Serbi dhe Hungari. Të gjitha këto vise do të zbardhen ditëve të ardhshme duke përfshirë edhe gati të gjitha ultësirat e këtyre vendeve, madje me shtresa të mëdha bore.
Pasi që ne do të jemi nën ndikimin konstant të erërave jugore reshjet në viset tona do të jenë kryesisht në formë shiu me përjashtim që në pak raste në verilindje të Kosovës mund të ketë shi të ngrirë ose borë, por e cila prapë kthehet në shi.
Ajri i ngrohtë mesdhetar në viset tona do të jetë me ne deri të mërkurën ose më së largti deri të Enjten kur pritet që të largohet dhe të depërtojë ajri i ftohtë Arktik. Reshje bore afërsisht të Enjten priten edhe në viset tona, por tani për tani nuk dihet sasia e reshjeve sepse do të varet tërësisht nga fuqia e cikloneve mesdhetare që eventualisht deri të enjten mund të humbin fuqinë e tyre, por mund të ndodhë edhe e kundërta që të fuqizohen duke sjellur reshje të dendura bore edhe në viset tona. Kjo mbetet për tu ndjekur, ngase enigmat tjera tani janë “zbardhur”. Pra, deri të mërkurën vonë ose të enjten në viset tona vetëm shi, me ndonjë përjashtim të vogël, pastaj mbetet të shihet. Ajri i ftohtë polar depërton më së largu të enjten po sa do të kemi borë mbetet të shihet./MeteoBallkan















