Edhe ditëve të ardhshme rajoni ynë do të mbetet nën ndikimin e masave të fuqishme ajrore jostabile të cilat nga Atlantiku janë përqëndruar në Mesdhe. Si pasojë do të kemi cirkulacione ajrore të shpeshta ciklonike dhe kjo nënkupton mot mjaft jostabil dhe me reshje. Normalisht, do të kemi edhe periudha kohore pa reshje apo të thata, por reshjet atmosferike do të jenë fenomen pothujase i përditshëm.
Priten reshje të reja atmosferike, lokalisht rrebeshe të fuqishme me vetëtima dhe bubullimë dhe nganjëherë edhe erëra të fuqishme. Fushat ajrore me presion të ulët atmosferik janë përqënduar mbi rajonin tonë dhe nuk do të lëshojnë pe edhe shumë ditë.
Reshjet do të jenë kryesisht të karakterit lokal por shtrirja e fuqishme e këtyre fushave ajrore jostabile do të rezultojë me reshje të reja në shumicën e territoreve të rajonit tonë. Temperaturat do të shënojnë ulje-ngritje të shpeshta ,varësisht nga momenti, vranësirat dhe rrebeshet eventuale. Pra, kur kemi intervale kohore me diell do të ketë ngritje afatshkurtëra të temperaturave, kurse kur kemi vranësira dhe reshje ato do të ulën. Kjo nuk donë shumë shkencë apo komplikim./Meteoballkan