Tani e disa ditë më radhë jemi nën ndikimin e masave ajrore ciklonike apo fushave ajrore me presion të ulët atmosferik të cilat kushtëzojnë reshje të shpeshta shiu. Kjo gjendje sinoptike do të vazhdojë edhe disa ditë me radhë sepse këto fusha ajrore të paqëndrueshme do të jenë të “qëndrueshme” mbi rajonin tonë edhe disa ditë.
Pra, i tërë Gadishulli Ballkanik dhe Evropa Juglindore gjendet nën ndikimin e fuqishëm të këtyre masave ajrore ciklonike. Kjo do të vazhdojë edhe gjatë fundjavës dhe fillimin e javës së ardhshme. Në përgjithësi në tërë rajonin tonë priten reshje të reja shiu, vende-vende rrebeshe lokale të fuqishme shiu me vetëtima dhe bubullimë, mirëpo do të ketë gjithashtu edhe periudha kohore pa reshje dhe intervale kohore me diell.
Ditën e diel dhe të hënën priten jostabilitete më të shpeshta posaqërisht në Kosovë, kurse nga e marta mund të ketë stabilizim gradual të motit si pasojë e përpjekjës së shtrijes së masave ajrore anticiklonike mbi rajon. Sipas të gjitha gjasave nga e marta ose e mërkura do të kemi stabilizim gradual të motit dhe ngritje graduale të temperaturave edhe pse netët dhe mëngjeset do të jenë të ftohta. Ishin këto të dhëna të përgjithshme për motin në ditët e ardhshme dhe mundësinë e stabilizimit të motit gjatë javës së ardhshme. Ne do tju njoftojmë gjithnjë e më saktë me evoluimin e gjendjes sinoptike në rajonin tonë në postimet tona të ardhshme./Meteoballkan