Gjatë kësaj jave do të jemi nën ndikimin e masave ajrore jo të qëndrueshme të cilat pritet të sjellin vranësira të shumta gjatë gati tërë javës dhe reshje të herëpashershme kryesisht shiu, kurse borë vetëm në malet më të larta.
Edhe pse do të jemi shpeshherë nën ndikimin e masave ciklonike që vijnë nga Mesdheu dhe origjinën e kanë nga Atlantiku temperaturat do të jenë mbi vlerat mesatare për këtë periudhë kohore, prandaj do të jemi nën ndikimin e masave të ngrohta ajrore dhe rrymimet ajrore do të jenë të ngrohta nga jugu dhe jugperëndimi e perëndimi në shumicën e rasteve.
Dhjetori shënon fillimin e dimrit klimatologjik me ditë të shkurtra dhe netë të gjata, por kjo javë nuk do të ngjasojë fare dimrit sepse nuk do të ketë gjasa për reshje bore dhe temperaturat do të jenë relativisht të larta.
E Hëna ka filluar me intervale të gjata kohore me diell dhe mjegull në disa zona. Edhe të martën në Kosovë pritet të ketë intervale kohore me diell, por edhe vranësira me reshje të pakta lokale.
Në Shqipëri e marta sjellë më shumë vranësira e reshje lokale shiu vende-vende në formë të rrebesheve.
Të mërkurën priten edhe më shumë vranësira dhe reshje shiu sidomos në Shqipëri dhe Maqedoninë Veriore. Në Kosovë priten vranësira dhe reshje të pakta lokale dhe mund të ketë edhe intervale të shkurtra kohore me diell.
Nga e enjta deri në fundjavë do të vazhdojë mot me vranësira të shpeshta dhe reshje të herëpashershme, lokale shiu, ndërsa mund të ketë intervale të shkrurtra kohore me diell lokalisht. Temperaturat pa ndonjë ndryshim që vlen të theksohet dhe ato maksimale do të vazhdojnë të jenë pak mbi 10 gradë Celsius në Kosovë, normalisht në Shqipëri ato do të jenë edhe më të larta.
Në përgjithësi na pret edhe një javë me vranësira të shpeshta, por reshjet nuk do të jenë shumë të mëdha me disa përjashtime në disa rajone të Shqipërisë ku mund të ketë rrebeshe intensive të karakterit lokal. Ndonjë rrebesh i fortë-lokal shiu gjatë javës mund të zhvillohen edhe në pjesë të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Në Kosovë reshjet do të jenë më të pakta sipas parashikimeve nga tani dhe këto parashikime mund të ndryshojnë gjatë ditëve të javës. Më shumë reshje parashihen në jug dhe lindje të Kosovës.
Ishte ky parashikimi javor i motit për javën e parë të Dhjetori ku do të dominojnë vranësira dhe rrymime ajrore nga jugu e perëndimi. Temperaturat do të jenë të larta gjatë tërë javës për këtë periudhë kohore. Ndryshime në parashikim mund të ketë (sidomos në aspektin e sasisë së reshjeve eventuale) dhe për çdo ndryshim eventual do të njoftoheni në postimet tona të përditshme./MeteoBallkan
















