Agjencia e Menaxhimit Emergjent në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme ka njoftuar se gjatë gjashtë orëve të fundit (14:00-20:00) në 27.07.2025 janë raportuar 80 vatra zjarri.
35 nga to janë aktive, kurse 45 janë lokalizuar.
“Situata më e vështirësuar paraqitet në Komunën e Klinës, konkretisht në fshatrat Siqevë dhe Resnikë. Fatmirësisht, deri më tani nuk është raportuar për viktima apo persona të lënduar” – thuhet mes tjerash në njoftimin e AME-së.
Qytetarëve u bëhet thirrje për kujdes të shtuar, të shmangin veprimet që mund të shkaktojnë zjarr dhe menjëherë të raportojnë çdo vatër të dyshimtë në numrat emergjentë 112, 193 ose 192.
“Agjencia, në bashkëpunim me Njësitë e Zjarrfikësve dhe Policinë e Kosovës, mbetet në gatishmëri të plotë. Agjencia falënderon zjarrfikësit për përkushtimin e tyre të palodhshëm, Policinë e Kosovës dhe KFOR-in për mbështetjen, si dhe qytetarët për bashkëpunimin” – thuhet tutje në njoftim.