Ajri mjaft i ftohtë me origjinë polare i cili po mbretëron në vendin tonë disa ditë më radhë nga nesër do të fillojë të tërhiqet. Erërat do të ndryshojnë drejtim dhe do të fillojnë të fryjnë nga jugu dhe jugperëndimi dhe në këtë mënyrë do të ngriten edhe temperaturat për shkak se erërat jugore dhe perëndimore do të transportojnë ajrin e nxehtë nga Mesdheu në drejtim të rajonin tonë.
Në anën tjetër një masë e fuqishme ajrore me presion të ulët atmosferik (ciklon) nga Evropa veriperëndimore do të kushtëzojë mot mjaft jo stabil sidomos të premtën dhe pjesërisht edhe të shtunën. Pra, edhe pse do të kemi ngritje të temperaturave prapëseprapë do të kemi mot mjaft jo stabil sidomos të premten pasdite kur priten reshje shiu dhe vende-vende edhe rrebeshe të fuqishme shiu me vetëtima dhe bubullimë. Në disa rajone do të ketë edhe erëra të fuqishme nga jugu dhe jugperëndimi për të cilat do të lajmërojmë përsëri.
Pra nesër (e enjte) do të jetë më nxehtë dhe kryesisht pa reshje, por do të ketë erëra jo shumë të fuqishme dhe vranësira të herëpashershme, kurse pasnesër (e premte) pasdite vonë dhe në mbrëmje erërat do të jenë të fuqishme dhe vranësirat e dendura do të sjellin reshje të dendura shiu dhe rrebeshe lokale të fuqishme me vetëtima dhe bubullimë. Reshjet do të fillojnë në Shqipëri ku vende-vende priten reshje intensive dhe pastaj do të zgjerohen në pjesë tjera të rajonit. Të shtunën dhe të dielën pritet të kemi stabilizim gradual dhe të pjesërishëm të motit dhe do të mund të shijojmë momente të mira të motit të mirë./Meteoballkan