Pjesa më e frekuentuar e bregdetit në Shqipëri sa i takon turizmit të organizuar, Durrësi dhe Golemi, prej vitesh po përpiqen të konsolidojnë një ofertë gjithëvjetore për vizitorët. Nga viti në vit, numri i strukturave që qëndrojnë hapur edhe në dimër po rritet dhe paketat po konsolidohen gjithmonë e më shumë.
Ajo që e ushqen këtë është turizmi i fundjavave nga vendasit, por sidomos shqiptarët e Kosovës. Teksa shifrat e lëvizjes së shtetasve flasin për një “bum” turistik në vend, strukturat akomoduese në zonën e Golemit shprehen se numri i vizitorëve në përgjithësi ka qenë njëlloj si në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Tregu i Kosovës, nga ana tjetër, ka shënuar ulje të shifrave, duke e bërë aktivitetin më sfidues. Grupet e para të të huajve pritet të vijnë në mars dhe prill.
Durrësi dhe Golemi, edhe pse një epiqendër e turizmit të organizuar gjatë verës, janë ndoshta ndër destinacionet më të vizituara gjatë gjithë vitit, kryesisht në fundjavë.
Zhvendosja masive e kryeqytetit, por edhe e rajoneve të tjera të afërta, kanë ndikuar në rritje të numrit të hoteleve që mbajnë hapur dyert nga viti në vit, edhe pse shtylla kryesore mbeten në fakt shqiptarët e Kosovës.
Turizmi patriotik cilësohet pjesa më e rëndësishme e turistëve që gjallërojnë bregdetin e këtij rajoni gjatë vitit. Dimri i butë që lamë pas, ku temperaturat e ulëta ekstreme munguan, krijuan përshtypjen se edhe frekuentimi i bregdetit do të ishte më i lartë falë kohës së mirë.
Perceptimi mbështetet edhe në statistikat e lëvizjes së shtetasve, ku në janar u raportuan 377 mijë shtetas të huaj që hynë në vend, gati 94.2% më shumë.
Por teksa kjo shifër mund të jetë e vërtetë dhe ky “lumë” turistësh të jetë shpërndarë kudo nëpër Shqipëri, në strukturat e Durrësit nuk është reflektuar me ndonjë rritje domethënëse, madje turistët nga Kosova kanë pasur prani më të dobët se vjet.
Më pak turistë nga Kosova, shifrat e vizitorëve afërsisht si në vitin 2022
Strukturat akomoduese më të mëdha në bregdetin e Durrësit kanë qenë aktive si çdo vit në hartimin dhe ofrimin e paketave “half board” (fjetje dhe dy vakte të përfshira) për vizitorët e fundjavave, një praktikë që vijon prej vitesh dhe parapëlqehet sidomos nga shqiptarët e Kosovës. Përfaqësuesit e këtyre strukturave nënvizojnë se ecuria e vizitorëve është njëlloj si vitin e shkuar, pa ndonjë rritje të dukshme.
“Dimri ka qenë i mirë, mund të themi me po të njëjtat shifra si viti i shkuar. Ka lëvizje shumë të vogla, që nuk bëjnë diferencë. Gjithsesi, duhet të themi se situata ka qenë e mirë për sektorin. Të paktën 80% e strukturave në bregdetin e Golemit apo Durrësit kanë qëndruar të hapura.
Pak prej tyre janë mbyllur”, tha Blerim Norja, drejtor i një rrjeti hotelesh në Shqipëri.
Edhe Fatos Çerenishti, pronar hotelesh, thotë se shqiptarët e Kosovës kanë pasur një prani më të ulët për dy arsye.
“Dimri ka pasur turistë, por nga ajo që konstatoj, ka rënie me 20-30% në raport me vitet e tjera. Mendoj se këtu ka pasur ndikim rënia e numrit të turistëve nga Kosova.
Arsyet e kësaj tkurrje kanë të bëjnë me një situatë më të dobët ekonomike, për shkak të krizës së çmimeve me të cilën jemi përballur të gjithë, biznese e individë, por ndoshta ka ndikuar disi dhe situata politike.
Është jo shumë e ngrohtë si situatë dhe luhatjet rrisin pasigurinë, duke i bërë njerëzit më të kujdesshëm.
Prania më e lartë e turistëve nga Kosova ka qenë gjatë festave të nëntorit dhe më pas, frekuentimi ka qenë i tkurrur”, nënvizon Çerenishti.
Prej disa kohësh, në lëvizjet e shtetasve, mbetet e paqartë mënyra sesi llogariten hyrjet nga Kosova, duke qenë se nga mesi i vitit të shkuar, dy qeveritë u angazhuan për kalim të lirë të qytetarëve pa qenë nevoja të regjistrohen në pikën doganore.
Kjo praktikë, e cila fillimisht u deklarua se do të zinte vend vetëm në sezonin turistik dhe gjatë fundjavave, në fakt, u deklarua se do të shtihej gjatë gjithë vitit.
Në mars-prill vijnë grupet e para të huaja, kontratat me garanci në maj
Ardhja e pranverës shënon edhe mbërritjen e grupeve të para të turistëve të organizuar në Durrës, por të interesuar për turet ditore kulturore në zonat përreth.
Hotelet konfirmojnë se grupe nga Gjermania, Austria apo Sllovenia pritet të vijnë në mars dhe prill./monitor