Luhatja e theksuar e temperaturave dhe i ftohti nuk ndikojnë vetëm në shtimin e gjendjeve gripale. Nëse organizmi ynë nuk e përballon dot të ftohtin ekspozohet ndaj një sërë ndërlikimeve që prekin zemrën, sistemin nervor, kockat, si dhe rrugët e frymëmarrjes. Në kushte ekstreme të ftohtit, mund të ndodhë edhe hipotermia dhe ngrirja. Ndërlikime këto që janë edhe më të rënda në rastet kur pacientët vuajnë nga sëmundjet kronike. Duke iu referuar rasteve të paraqitura në qendrat shëndetësore, autoritet e shëndetit publik apelojnë për më shumë kujdes gjatë dy muajve të ardhshëm, veçanërisht nga fëmijët e të moshuarit.
Specialistja e shëndetit publik Jeta Lakrori, tregon se cilat janë ndërlikimet më të shpeshta që shfaqen nga i ftohti, si dhe këshillat për t’i mbajtur nën kontroll. Sipas saj, dimri në disa zona të vendit përbën një kërcënim për shëndetin, sidomos të moshuarve, fëmijëve dhe njerëzit me disa sëmundje kronike, të cilët janë më të prekshëm dhe më në rrezik të marrjes së infeksioneve. “Por, edhe më të rinjtë, të shëndetshëm mund të vuajnë pasoja shëndetësore, ndonjëherë të rënda kur ekspozohen ndaj temperaturave shumë të ulëta.
Ndikimi i të ftohtit në shëndetin e njeriut mund të varet nga një sërë faktorësh, si zgjatja e motit të ftohtë; variacionet e ndryshimit të temperaturës, por edhe nga faktorë të tjerë të lidhura të motit, si cilësia e ajrit, lagështia apo era. Për më tepër, me të ftohtin, organizmi aktivizon sistemet e brendshme të rregullimit të temperaturës, të cilat në kushte normale mbajnë në mënyrë konstante ekuilibrin termik të trupit me mjedisin e jashtëm”, shprehet Lakrori. Në vijim të shkrimit gjeni të detajuara ndërlikimet më të shpeshta që shfaqen nga i ftohti.
Sëmundjet kardiovaskulare
Kur temperatura në ambientin e shtëpisë është 12C ose dhe më pak mund të shkaktojë një ngushtim të enëve të gjakut, çka shkakton një rritje të presionit të gjakut. Trashja e gjakut më tej shton rrezikun e mpiksjes së tij, dhe nëse këto mpiksje gjaku formohen në enët e gjakut të zemrës, apo atyre që furnizojnë trurin, mund të çojnë në shfaqjen e pasojave fatale siç janë goditjet në tru dhe në zemër. Ulja e temperaturës në hapësirën e banimit të një të moshuari me 1 gradë lidhet me një rritje prej 1.3 mmhg në presionin e tyre sistolik të gjakut, për shkak të gjymtyrëve të ftohta dhe të një temperature të trupit më të ulët. Ilaçet që përdoren për trajtimin e hipertensionit dhe të “angina pektoris” gjatë kësaj stine kanë nevojë për rregullim të dozave, mbasi ato mund të ndryshojnë mekanizmat mbrojtës kundër të ftohtit, siç mund të jetë për shembull mjekimi me digoxin.
Sëmundjet e frymëmarrjes
Ndërlikimet për astma bronkiale, sëmundje pulmonare obstruktive kronike.
Kur moti është i ftohtë, njerëzit kanë tendencën për të ndenjur më shumë kohë në shtëpi. E kur ata janë më në afërsi me njeri-tjetrin, kjo gjë ndikon edhe në përhapjen më të lehtë të infeksionit. Ekspozimi në temperatura të ftohta,shtëpie ose dhe në natyrë ndikon në mbi sistemin imunitar, zvogëlon kapacitetin e mushkërive për të luftuar infeksionet teksa rrit shtrëngimin e rrugëve të frymëmarrjes. I ftohti shkakton një rritje të sekrecioneve mukoze dhe lirimin e një substance (histaminës), të cilat mund të çojnë në gulçime (marrje fryme me zor), dhe keqësimin apo rëndimin e tyre, të astmës, duke vështirësuar edhe ecjen dhe lëvizjen në të ftohtë.
Sëmundjet e kockave
Ndërlikimet për sëmundjet si arthropatia reumatike, arthropatia degjenerative kronike.
Artritet mund të vuajnë nga ndikimi i të ftohtit. Nëse presioni barometrik bie, kjo mund të shkaktojë kyçe të irrituara, duke u bërë gjithnjë e më të ngrirë dhe të dhimbshëm. Kur është shumë ftohtë ulet pragu i dhimbjes dhe shtohen dhimbjet në sistemin nervor, muskujt dhe tendinat e këtyre pacientëve. Ndaj është e këshillueshme për të qëndruar në ambiente të ngrohta, duke shmangur ndryshimet e papritura të temperaturës, kur kalohet nga një mjedis në një tjetër. Evitoni daljet në ambientet jashtë, ose sigurohuni që të jeni të veshur mirë. Arthirtis është një sëmundje që shkakton dhembje, ngurtësim dhe ënjtje në nyje, të cilët mund t’a bëjnë të vështirë për të lëvizur.
Ndërlikimet për sëmundjet endokrine, si sëmundja e sheqerit.
I ftohti ndryshon shpejt nivelet e sheqerit në gjak, dhe nga ana tjetër ajri i thatë kontribuon në plasaritjet e lëkurës, në duar dhe në këmbë, çka mund të çojë në shfaqjen e infeksionit.
Çrregullimet neurologjike e psikologjike
Tek personat që marrin mjekime me qetësues psikotropë, apo dhe mjekime për epilepsinë.
Njerëzit me çrregullime mendore, në veçanti ata që shfaqin përkeqësime të aftësive njohëse janë në rrezik të lartë për hipotermi, sepse ata nuk e shfaqin shqetësimin që lidhet me temperaturat e ulëta, dhe nuk kanë aftësinë për të mbrojtur veten e tyre. Mjekimet mund të ndryshojnë mekanizmin qendror të rregullimit të temperaturës së trupit dhe të shkaktojë uljen e saj.
Sëmundje të lëkurës si psoriaza, dermatiti atopik, urtikarja.
Gjatë të ftohtit kemi një rritje të tharjes, kruarjes, dhe ashpërsimit të lëkurës për shkak të lagështisë së ulët, si dhe rritjes së temperaturave të ftohta. Kjo ndodh pasi në dimër nuk djersitemi sikundër ndodh në një mot të ngrohtë.
Për të gjitha llojet e sëmundjeve kronike në një mot të ftohtë është mirë që të :
Shumë nga ndikimet e motit të ftohtë mbi shëndetin janë të parandalueshme nëse zbatohen me kujdes veçanërisht nga personat që vuajnë prej sëmundjeve kronike.
1. Qëndroni në kontroll të vazhdueshëm me mjekun tuaj.
2. Të merrni në mënyrë të rregullt mjekimet tuaja.
3. Kryeni vaksinat antigripale gjithmonë pasi të jeni konsultuar edhe me mjekun tuaj.
4. Rregulloni temperaturat e ambienteve të brendshme. Kujdesuni për izolimin e mirë të dritareve dhe të dyerve, për të zvogëluar humbjen e nxehtësisë me materiale të ndryshme izoluese. Temperatura ideale është 19-23 gradë. Ajri në shtëpi shumë i ftohtë dhe shumë i thatë mund të jetë me pasoja të rënda për shëndetin tuaj.
5. Ajrosni ambientet e brendshme disa herë gjatë ditës për të siguruar kështu lagështinë e duhur, si për rrugët e frymëmarrjes edhe për të ulur përqendrimin e mikrobeve në shtëpi. Helmimi me monoksid karboni, është shumë i zakonshëm dhe mund të ketë pasoja vdekjeprurëse.
6. Nëse ju përdorni ngrohje elektrike apo burime të tjera të ngrohjes si: Borsa apo shishe me ujë të nxehtë shmangni kontaktet e ngushta me duart tuaja, ose pjesë të tjera të trupit. Duhet të bëni kujdes edhe nga ngrohjet me dru apo me gaz se mund të çlirojnë gazra të dëmshëm.
7. Kontrolloni temperaturën e trupit tuaj, si dhe mos harroni të bëni gjumë të mjaftueshëm.
8. Mbani kontakte të shpeshta me familjarë dhe me miq për çdo situatë të papritur.
9. Merrni ushqime dhe pije të ngrohta si supra, (duhen konsumuar mbi 1 litër lëngje gjatë ditës), duke shmangur alkoolin sepse ai nuk ndihmon kundër të ftohtit, përkundrazi favorizon humbjen e nxehtësisë së prodhuar nga trupi.
10. Vishuni në mënyrë të përshtatshme për t’u mbrojtur nga i ftohti.
11. Dilni nëse është e mundur në oraret më të nxehta të ditës, si dhe mundohuni të shmangni daljet herët në mëngjes ose gjatë orëve të mbrëmies.
12. Tregoni kujdes kur kaloni nga një ambient i ftohtë në një të ngrohtë për të shmangur djersitjen apo ftohjen.
13. Kudo që të shkoni mos harroni të merrni me vete ilaçet tuaja.
14. Jeni 80 për qind më të rrezikuar nga gripi apo nga ftohja në dimër nëse nuk keni imunitet të fortë. prodhimet si djathi, qumështi, dhe kosi janë burime të shkëlqyera të proteinave dhe vitaminave A dhe BB12. Ato gjithashtu përmbajnë sasi të larta kalciumi, cili është i domosdoshëm për shëndetin e kockave.
Sëmundjet që shfaqen ose përkeqësohen si pasojë e të ftohtit janë:
Sëmundje të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, skuqje apo dhimbje deri në infeksion të bajameve, veshëve, hundës dhe sinuseve.
Sëmundje të rrugëve të poshtme të frymëmarrjes gripi dhe viroza të ndryshme acarim i astmës deri në infeksione të mushkërisë.
Dhimbje koke si pasojë e spazmave ngushtimit të enëve të gjakut në kokë.
Rritje e tensionit arterial dhe përkeqësim të tij tek të sëmurët kronikë.
Shtrëngime gjoksi deri në infarkte të zemrës.
Probleme të qarkullimit të gjakut si morthi, sceleroderma.
Fraktura, ndrydhje dhe dëmtime të tjera si pasojë e rrëshqitjeve dhe rënieve në akull.
Ngrirjet e ekstremiteteve deri në amputime të tyre.