Dita e fundit e javës në Kosovë pritet të kushtëzojë mot tërësisht stabil dhe të nxehtë veror. Gjatë tërë ditës priten kthjellime dhe temperatura të larta. Orëve të mesditës rekomandohet kujdes nga vapa verore e cila është plotësisht normale për këtë periudhë kohore.
Temperaturat pritet të lëvizin nga 16 minimalja deri në 35 gradë Celsius maksimalja.
Në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Luginë të Preshevës dhe Mal të Zi e diela pritet të kushtëzojë mot plotësisht stabil dhe të kthjellët me temperatura të larta verore.
Vapa do të jetë e fuqishme sidomos në perëndim dhe qendër të Shqipërisë dhe qendër të Maqedonisë së Veriut e jug të Malit të Zi. Temperaturat maksimale parashihet të arrijnë deri në 40 apo 41 gradë Celsius në zonat më të nxehta të Shqipërisë.
Edhe fillimi i javës së re do të jetë plotësisht stabil dhe me vapë intensive verore. Temperaturat nuk pritet të ndryshojnë, megjithatë nga mesi i javës temperaturat do të kenë tendencë rritjeje të mëtutjeshme.
Rrallë në disa zona malore në jug, lindje e qendër të Shqipërisë mund të ketë ndonjë rrebesh të izoluar shiu me bubullimë, por kjo nuk do të ndikojë fare në stabilitetin e përgjithshëm të atmosferës së këtyre ditëve në tërë rajonin tonë./MeteoBallkan














