Reshjet e shiut do të rifillojnë prapë sot, herë pas here në Kosovë dhe rajon, ndërsa temperaturat ende janë relativisht të larta.
Në Mesdhe kemi riorganizim të ciklonit, i cili po fuqizohet në Mesdheun Qendror e në Detin Jon.
Cikloni do të fuqizohet shumë në Detin Jon dhe në brigjet e Greqisë.
Erërat jugore do të vazhdojnë të fryjnë në Kosovë edhe pak, e në mbrëmje do të ndryshojnë drejtim e do të fillojnë të fryjnë të ftohta nga veriu.
Reshjet e shiut do të rifillojnë prapë dhe shumë shpejt do të fillojnë të shndërrohen në shqotë bore, normalisht së pari në viset kodrinoro-malore gjatë paradites së të shtunës edhe në disa vise të ulëta të Kosovës, e deri në mbrëmje në të gjitha viset, duke përfshirë edhe zonat më të ulëta të vendit, ku deri në mëngjesin e së dielës do të ketë borë.
Në gati të gjitha viset priten shtresa bore, normalisht më të mëdha në ato kodrinoro-malore, por ka shpresë se shtresa bore do të ketë edhe në rrafshin e Dukagjinit.
Borë edhe në Maqedoninë Veriore
Sipas parashikimeve më të fundit, reshjet e borës do të përfshijnë edhe pjesën më të madhe të Maqedonisë, duke përfshirë edhe ultësirat e vendit dhe kjo pritet të ndodhë më së shumti mëngjesin e së dielës.
Përpos Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, reshje bore priten edhe në lindje, juglindje dhe verilindje të Shqipërisë, duke krijuar shtresa edhe në zonat e ulëta të këtyre viseve.
Në përgjithësi shtresat që priten janë afërisht nga 3.5 cm deri në 25 cm në viset malore, por kjo mund të ndryshojë nga vendi në vend.
Pas reshjeve të borës temperatura mjaft të ulëta do të depërtojnë në Kosovë dhe rajon duke kushtëzuar acar të fortë dimëror, por asgjë ekstreme.
/MeteoBallkan/















