Nesër në Kosovë pritet të mbajë mot shumë i nxehtë veror, prandaj rekomandohet kujdes i shtuar orëve të mesditës, ndërsa pasdite pritet destabilizim lokal i atmosferës me mundësi për zhvillime konvektive të cilat do të kushtëzojnë dendësim të vranësirave dhe rrebeshe të izoluara shiu me vetëtima, bubullimë dhe mundësi për breshër.
Temperaturat do të jenë shumë të larta në mesditë nga 34 deri në 38 apo 39 gradë Celsius, për tu freskuar lokalisht orëve të pasdites.
Në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Luginë të Preshevës dhe Mal të Zi nesër pritet të mbajë mot kryesisht me diell dhe shumë i nxehtë veror. Pasdite në veri dhe lindje të Shqipërisë dhe shumë pjesë të Maqedonisë së Veriut pritet destabilizim i atmosferës me zhvillime të rrebesheve lokale të shiut me vetëtima, bubullimë dhe mundësi për breshër. Rrebeshe të izoluara pritet edhe në Mal të Zi dhe Luginë të Preshevës.
Edhe paraditja e së shtunës do të jetë shumë e nxehtë eventualisht edhe mesdita. Pasdite stuhi e rrebeshe shiu me bubullima intensive dhe breshër në disa zona mund të përfshijnë shumë pjesë të Republikës së Kosovës. Po ashtu edhe në shumë të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë kontinentale priten stuhi shiu me bubullima dhe breshër lokal. Vende-vende mund të ketë gjasa për ndonjë shtrëngatë të fuqishme me rrebeshe të dendura e intensive.
Të dielën ulje të lehta të temperaturave me zhvillime të izoluara./MeteoBallkan















