Nesër në Kosovë pritet të ketë sërish shtim të vranësirave e reshje lokale shiu. Reshje afatshkurtra shiu priten kryesisht në veriperëndim të Kosovës si në rajonin e Pejës, Istogut, por edhe në perëndim si në Gjakovë, Deçan, Junik dhe zonat përreth. Këto rajone pritet të kenë reshje paksa më të theksuara, megjithatë reshje lokale mund të ketë edhe në vise tjera, por prapë reshjet të pakta dhe në disa rajone nuk do të ketë fare.
Reshjet do të vinë kryesisht në mëngjes, ngase gjatë ditës do të ketë intervale kohore me diell.
Temperaturat pritet të luhaten nga 6 minimalja deri në 16 gradë Celsius ajo maksimale.
Në Shqipëri nesër pritet të ketë shtim të vranësirave dhe reshje shiu më shumë se në viset tjera të territoreve tona. Në viset bregdetare priten rrebeshe shiu me vetëtima dhe bubullimë.
Reshje më intensive priten në Mal të Zi gjatë natës sonte, kurse nesër ato pritet të pushojnë, ndërsa në Maqedoninë Veriore dhe Luginë të Preshevës reshjet e shiut do të shfaqen nesër gjatë ditës, por nuk do të zgjasin shumë.
Fillimi i javës së re do të shënojë depërtim të masave paksa më të ftohta ajrore nga veriu, Nuk do të mungojnë vranësirat e reshjet e dobëta lokale të shiut, kurse në malet më të larta do të shfaqen reshje bore. Në përgjithësi reshjet ende do të jenë të dobëta dhe afatshkurtra, pra për reshje më solide atmosferike duhet të pritet ende./MeteoBallkan














