Një burrë ka humbur jetën pas një sulmi nga një peshkaqen në plazhin e njohur Sorrento Beach, në veri të Perthit, Australi.
Ngjarja ka ndodhur të premten rreth orës 10:30, kur policia dhe ekipet e emergjencës u thirrën në vendin e ngjarjes pas raportimeve se një notar ishte sulmuar nga një peshkaqen.
Policia konfirmoi se viktima, identiteti i të cilit ende nuk është bërë publik, vdiq si pasojë e plagëve të marra. Sipas raportimeve të mediave lokale, ai po notonte rreth 15 metra larg bregut kur u sulmua.
Dëshmitarët kanë përshkruar skena tronditëse. Njëri prej tyre tha se ngjarja i ngjante “një skene nga filmi ‘Jaws’”, ndërsa një tjetër tregoi se kishte parë viktimën duke u sulmuar në ujë.

Një dëshmitare, e cila është infermiere, tha se ishte veçanërisht e rëndë të shihte një person duke humbur jetën në ujë para syve të saj.
Ndërkohë, Jacqui Rapaic, e cila ndodhej duke ecur pranë plazhit, tha se kishte parë një pellg gjaku në ujë. Sipas saj, dy burra kishin qenë duke notuar, por vetëm njëri kishte arritur të kthehej në breg.
Tre ekipe të emergjencës u dërguan në vendin e ngjarjes, ndërsa plazhi Sorrento u mbyll përkohësisht. Policia vijoi patrullimet në zonë, ndërsa një helikopter u pa duke fluturuar mbi plazh.
Sulmi fatal ndodhi vetëm disa ditë pasi një tjetër sërfist, 56-vjeçari Mel Ismail, u sulmua nga një peshkaqen pranë Glenfield Beach në Geraldton. Ai u shpëtua nga një tjetër sërfist, por pësoi lëndime të rënda dhe iu desh të amputohej pjesa e poshtme e këmbës së djathtë.
Sipas raportimeve, një peshkaqen rreth 2.5 metra i gjatë ishte parë pranë plazhit më herët atë ditë.
Ngjarja e fundit vjen rreth një javë pasi Surf Lifesaving WA nisi patrullimet me helikopterë për peshkaqenë gjatë fundjavave, në prag të sezonit veror.
Sorrento Beach kishte dikur një barrierë mbrojtëse kundër peshkaqenëve, por ajo u hoq në vitin 2020.












