Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka bërë të ditur se Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) po monitoron në vazhdimësi çmimet e derivateve të naftës në territorin e Kosovës.
Sipas MINTI-t, bazuar në çmimet e importit të deklaruara nga Dogana e Kosovës, deri më tani nuk është vërejtur abuzim me çmimet e shitjes së derivateve.
Ministria ka njoftuar se, në rast se gjatë monitorimit dhe verifikimit konstatohet abuzim me çmimet nga kompanitë e shitjes së derivateve, do të shqyrtohet mundësia e rikthimit të vendimit për përcaktimin e marzhës tregtare maksimale të lejuar për shitje me shumicë.
Sipas raporteve zyrtare të Doganës së Kosovës, çmimi i importit të derivateve të naftës gjatë 24 orëve të fundit ka qenë 1.83 euro, ndërsa çmimi i shitjes në pompat e derivateve, sipas raporteve të IQMT-së, ka lëvizur nga 1.92 deri në 1.94 euro për litër.
Ndërkaq, çmimi i importit të benzinës gjatë 24 orëve të fundit ka qenë 1.54 euro për litër, ndërsa çmimi i shitjes me pakicë ka lëvizur nga 1.61 deri në 1.67 euro.
MINTI ka deklaruar se tregu është nën mbikëqyrje të plotë dhe se rritja e çmimeve të derivateve nuk është pasojë e lëvizjeve të çmimeve brenda vendit, por lidhet me përshkallëzimin e konfliktit në Lindjen e Mesme dhe rritjen e çmimeve të furnizimit.
















