Nesër në Kosovë pritet të mbajë mot kryesisht me diell, por mund të ketë vranësira të pakta lokale dhe rrallë në ndonjë rajon mund të ketë ndonjë reshje të izoluar.
Erërat e fuqishme që po fryjnë sonte do të fillojnë të dobësohen pas mesnate, por do të rifillojnë prapë nga mesdita e ditës së nesërme në drejtimin nga jugperëndimi me fuqi afërsisht nga 40 deri në 58 km/h.
Temperaturat pritet të luhaten nga 8 minimalja deri në 18 gradë Celsius ajo maksimale.
Në Shqipëri, Maqedoninë Veriore, Luginë të Preshevës dhe Mal të Zi nesër pritet të mbajë mot me diell dhe vranësira lokale. Në pjesë të Shqipërisë do të ketë më shumë vranësira e reshje lokale, kurse në Maqedoninë Veriore dhe Luginë të Preshevës më shumë diell dhe pa reshje. Mund të ketë ndonjë rigë shiu në perëndim të vendit.
Të shtunën temperaturat do të shënojnë ulje kryesisht të lehta. Do të vazhdojnë periudhat me diell e vranësirat lokale. Reshjet do të jenë të pakta dhe të izoluara. Vonë në mbrëmje në Kosovë priten rrebeshe lokale me mundësi për ndonjë vetëtimë dhe bubullimë.
Të dielën cikloni më i ri do të fuqizohet shumë në veri të Detit Adriatik dhe do të fillojë të ndikojë në motin në viset tona, megjithatë gjatë ditës priten vranësira e intervale kohore me diell. Gjatë natës dhe të hënën nganjëherë priten intervale reshjesh më të dendura shiu, kurse të hënën temperaturat do të shënojnë ulje më të ndjeshme me mundësi për reshje bore në disa zona kodrinore-malore./MeteoBallkan















