Erërat e fuqishme që kanë përfshirë Kosovën gjatë mbrëmjes kanë shkaktuar dëme materiale në disa zona të vendit, duke prekur prona private, biznese dhe hapësira publike.
Ndër vendet ku janë raportuar dëme është Krusha e Madhe e Rahovecit, ku si pasojë e erërave janë dëmtuar sera bujqësore.
Probleme janë raportuar edhe në Prizren, Ferizaj e Prishtinë e Mitrovicë.
Në disa vende ka pasur edhe ndërprerje të rrymës.
Në Ferizaj, KEDS-i ka njoftuar se erërat e forta kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në infrastrukturën energjetike, dhe me kërkesë të Policisë është ndalur energjia elektrike.
“Si rezultat i situatës aktuale, ku erërat e forta kanë shkaktuar dëme dhe avari të konsiderueshme në infrastrukturën energjetike, dhe me kërkesë të Policisë së Kosovës, KEDS njofton publikun për nevojën e domosdoshme për ndërprerjen e energjisë elektrike në Ferizaj. Kjo ndërprerje është si masë preventive me qëllim sigurinë e përgjithshme të qytetarëve. Ekipet tona janë në terren dhe në koordinim të plotë me institucionet gjegjëse”, thuhet nga KEDS-i.
Erërat e forta mund të shkaktojnë rrëzimin e pemëve, shkëputjen e pjesëve të kulmeve, dëmtimin e strukturave të lehta dhe zhvendosjen e objekteve që ndodhen në hapësira të hapura.
















