Nesër në Kosovë pritet të kemi mot jo-stabil. Në mëngjes me vranësira e rrebeshe lokale shiu, kurse gjatë ditës me erëra e intervale kohore me diell, ndërsa reshje të herëpashershme priten në zona të izoluara. Temperaturat do të shënojnë rritje të mëtutjeshme për shkak të rrymimeve të fuqishme ajrore nga jugu.
Minimalja pritet të zbres deri në 9 gradë Celsius, kurse maksimalja pritet të shkojë deri në 19 gradë Celsius.
Në Shqipëri nesër pritet të ketë shtim të vranësirave dhe reshje të reja shiu. Më shumë reshje priten në veri dhe pjesët qendrore të Shqipërisë. Reshje lokale nesër do të ketë edhe në Maqedoninë Veriore dhe Luginë të Preshevës e reshje më intensive priten në Mal të Zi.
Në të gjitha viset do të fryjnë erëra nga jugu e perëndimi të cilat në disa rajone në disa momente pritet të jenë të fuqishme.
Edhe të enjten na pret mot i paqëndrueshëm sidomos orëve të pasdite me erëra edhe më të fuqishme dhe reshje-rrebeshe lokale shiu. Stuhi të fuqishme shiu priten në veri të Shqipërisë dhe Mal të Zi, por mot mjaft i stuhishëm pritet edhe në shumë pjesë të Kosovës.
Të Premten na pret mot më stabil, me diell e vranësira të pakta lokale. Erërat do të vazhdojnë të fryjnë nga jugperëndimi, por jo shumë të fuqishme sikurse të enjten.
Rrebeshe lokale priten të shtunën dhe temperaturat do të shënojnë ulje, por priten edhe intervale me diell./MeteoBallkan















