Qeveria e Kosovës ka shpallur sot masa emergjente për furnizimin me energji, për një peridhë dy mujore.
Kryeministri Albin Kurti, në mbledhjen e sotme të Qeverisë, deklaroi se këto masa përfshijnë: shfrytëzimin e kapaciteteve prodhuese të hidrocentralit të Ujmanit për konsumatorët e shërbimit universal, ndërmarrjen e masave për kursimin e energjisë nga institucionet publike dhe ndërmarrjen e masave të tjera që Qeveria mund të ndërmarrë sipas nevojës.
“Qëllimi ynë është që të shfrytëzojmë në mënyrë sa më efikase kapacitetet prodhuese dhe të zvogëlojmë rrezikun për furnizimin e qëndrueshëm të qytetarëve dhe ekonomisë sonë”, deklaroi Kurti.
Propozimi u prezantua nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila tha se ky propozim vjen si përgjigje ndaj “rrethanave të jashtëzakonshme”, me të cilat po përballet sektori i energjisë në vend.
Ajo shtoi se këto masa përfshijnë marrjen e disa masave të menjëhershme.
Me këtë vendim parashihet obligimi i hidrocentralit të Ujmanit, pra ndërmarrjes Ibër-Lepenc, që të prodhojë energji në kohët kur kërkesat është më e lartë dhe t’ia shesë atë Furnizuesit të Shërbimit Universal, pra për qytetarët dhe ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme të Kosovës.
“Vendimi obligon gjithashtu të gjitha institucionet publike që të marrin masa për kursimin e energjisë elektrike gjatë kësaj periudhe”, tha Rizvanolli gjatë mbledhjes.
Ajo shtoi se mund të merren edhe masa të tjera gjatë javëve dhe muajve në vijim. /Buletini Ekonomik/















