Një pamje mbresëlënëse natyrore është krijuar në zonën e Thethit, në Alpet Shqiptare, ku ujërat që zbresin nga lartësitë malore kanë krijuar rrjedha të shumta përgjatë shpateve të maleve.
Pas reshjeve intensive të shiut, përrenjtë dhe rrjedhat malore kanë marrë prurje të mëdha, duke krijuar pamje të veçanta, ku uji zbret nëpër faqet shkëmbore dhe formon ujëvara të përkohshme.
Thethi njihet për pasurinë e tij të jashtëzakonshme ujore, me burime natyrore, përrenj dhe ujëvara që burojnë nga zonat e larta malore. Një prej atraksioneve më të njohura është Ujëvara e Grunasit, e cila ka një lartësi prej rreth 25 metrash.
Megjithatë, reshjet e fundit kanë sjellë edhe probleme. Sipas raportimeve të sotme, rritja e prurjeve ka shkaktuar vërshime në disa pjesë të Thethit, ndërsa është dëmtuar një urë dhe aksi Theth–Ndërlysaj ka mbetur i bllokuar.
















