Nesër në Kosovë pritet të mbajë mot kryesisht i vranët, por mund të ketë intervale të shkurtra kohore me diell, megjithatë vranësirat do të dendësohen dhe do të sjellin reshje të reja shiu sidomos orëve të pasdites dhe mbrëmjes. Reshje shiu priten në të gjitha viset, lokalisht në formë të rrebesheve sidomos në Dukagjin ku mund të ketë edhe vetëtima dhe bubullimë.
Temperaturat pritet të luhaten nga 6 minimalja deri në 15 gradë Celsius ajo maksimale.
Në Shqipëri po ashtu priten reshje të reja shiu e rrebeshe lokale me vetëtima dhe bubullimë. Reshje intensive priten në veri të vendit dhe zonat përreth, ndërsa gjatë ditës reshjet do të përfshijnë edhe pjesë tjera të Shqipërisë. Në veri të vendit dhe jug të Malit të Zi priten reshjet më të dendura që mund të sjellin vërshime të reja.
Reshje lokale shiu nesër do të fillojnë edhe në Maqedoninë Veriore sidomos orëve të pasdites dhe po ashtu në Luginë të Preshevës.
Reshje më të pakta në tërë rajonin tonë priten të Martën. Njëkohësisht do të ketë rritje të ndjeshme të temperaturave sepse parashihen periudha me diell dhe rrymime të fuqishme ajrore nga jugu. Në pjesë të Shqipërisë do të ketë pak më shumë vranësira dhe reshje kryesisht të dobëta të herëpashershme.
Të mërkurën në Shqipëri më shumë vranësira e reshje shiu, kurse në Kosovë priten intervale kohore me diellm vranësira e reshje të herëpashershme lokale. Temperaturat do të vazhdojnë të jenë të larta për këtë periudhë kohore sidomos në viset me depërtim të rrezeve diellore./MeteoBallkan
















