Reshjet e shiut do të rifillojnë dhe vazhdojnë gjatë natës sonte dhe mëngjesit me intensitet të ndryshueshëm. Në viset kodrinore-malore do të fillojnë të përzihen me shqote e borë.
Nesër në Kosovë na pret mot me vranësira të dendura dhe me reshje të shpeshta shiu e bore. Reshjet e shiut do të fillojnë të shndërrohen në borë së pari në shumë rajone të Rrafshit të Kosovës dhe do të vinë duke u zgjeruar. Gjatë mbrëmjes dhe natës së ardhme fuqizim i reshjeve të borës në të gjitha viset dhe bora do të fillojë edhe në Dukagjin. Në gati të gjitha viset do të krijohen shtresa bore deri mëngjesin e së dielës, por normalisht në disa pjesë të Dukagjinit mund të ketë fare pak shtresë bore. Në disa vise në Dukagjin bora mund të mungojë fare për shkak të ndikimeve të mikro-klimës.
Në Shqipëri nesër pritet të mbajë mot me vranësira të dendura dhe me reshje shiu të cilat në jug e juglindje të vendit do të jenë intensive. Reshje të pakta në veriperëndim të vendit. Në mbrëmje reshje bore do të fillojnë në veri e verilindje të Shqipërisë si dhe lokalisht edhe në lindje.
Edhe në Maqedoninë Veriore dhe Luginë të Preshevës e shtuna do të kushtëzojë kushte me vranësira të dendura e reshje shiu. Në mbrëmje e gjatë natës në gati të gjithë Maqedoninë e Veriut do të fillojnë reshje bore, vende-vende intensive. Ngjashëm do të jetë edhe në Luginë të Preshevës.
Në veri të Malit të Zi reshjet e borës do të fillojnë në mëngjes dhe do të vazhdojnë gjatë tërë ditës.
E tërë Kosova (me përjashtim ndoshta ndonjë zonë e ulët në Dukagjin) do të zbardhet mëngjesin e së dielës dhe orëve të hershme të mëngjesit vende-vende në Kosovë priten periudha me reshje të dendura bore e erëra mjaft të ftoha veriore. Reshje bore mëngjesin e së dielës do të ketë edhe në pjesën më të madhe të Maqedonisë së Veriut dhe lindje e juglindje të Shqipërisë.
Pas një kohe shumë të gjatë na pret një ditë tipike dimërore me reshje bore, shtresa bore dhe erëra të ftohta nga veriu. Vende-vende sidomos në viset kodrinore-malore mund të krijohen orteqe bore për shkak të erërave të fuqishme veriore.
Reshjet do të pushojnë gjatë ditës ose pasditen e së dielën dhe temperatura të ulëta polare do të mbizotërojnë./MeteoBallkan















