Reshjet e borës do të vazhdojnë gjatë natës dhe mëngjesit me intensitet të ndryshueshëm. Në shumë rajone priten episode me reshje më intensive bore sidomos në viset kodrinore-malore, ndërsa vazhdon depërtimi i masave ajrore gjithnjë e më të ftohta me origjinë polare.
Reshje do të fillojnë të humbin intensitet gjatë paradites apo gjatë ditës ato do të pushojnë fare për të vazhduar vetëm në disa zona të izoluara. Në Rrafshin e Kosovës pritet ditë e akullt dhe kjo nënkupton se temperatura nuk do të kalojë në “plus”. Në Dukagjin maksimalja mund të shkojë deri në 1 apo më së shumti 2 gradë Celsius.
Erërat e ftohta veriore do të lënë përshtypjen se temperaturat do të jenë edhe më të ulëta se ato realet.
Temperaturat parashihet të luhaten nga -6 minimalja deri në 1 gradë Celsius ajo maksimale. Vlerat minimale do të ulën fuqishëm mbrëmjen e ardhshme.
Në Shqipëri nesër do të mbajë mot i vranët e me reshje bore në lindje të vendit, kurse në perëndim pritet mot i thatë.
Reshje bore priten edhe në Maqedoninë Veriore deri në nesër dhe priten shtresa bore, sikurse edhe në Luginën e Preshevës dhe veri të Malit të Zi. Në jug të Malit të Zi pritet mot me diell.
Nën ndikimin e fuqishëm anticiklonik ditëve të ardhshme na pret mot pa reshje atmosferike, por do të kemi ardhjen e masës ajrore mjaft të ftohtë me origjinë polare. Si pasojë netët dhe mëngjeset do të jenë shumë të ftohta dhe me acar “serioz” dimëror. Edhe ditët do të jenë mjaft të ftohta dhe në shumë rajone të akullta. Në disa rajone në Dukagjin temperatura maksimale mund të dal në “plus”.
Acari do të jetë i fortë edhe në lindje të Shqipërisë, Maqedoninë Veriore, Luginë dhe veri të Malit të Zi. Acar i mëngjesit pritet madje edhe në perëndim të Shqipërisë/MeteoBallkan
















