Sot në Kosovë pritet të mbajë mot mjaft i këndshëm pranveror me rreze të shumta diellore dhe temperatura deri në 20 gradë Celsius. Do të fryjnë erëra të dobëta deri mesatare drejtimesh të ndryshme.
Në Shqipëri dhe rajon po ashtu pritet të mbajë mot kryesisht me diell, por vende-vende priten edhe vranësira të shtresave të larta. Temperaturat pritet të jenë pranverore në tërë rajonin.
Të hënën na pret mot kryesisht stabil dhe relativisht i ngrohtë. Në Shqipëri do të ketë gjasa për reshje lokale shiu pasdite, ndërsa vonë pasdite riga shiu mund të ketë edhe në jug të Kosovës.
Nga e marta do të kemi fuqizim të erërave jugperëndimore. Priten intervale kohore me diell dhe vranëra të herëpashershem dhe rrallëkund ndonjë rigë ose rrebesh afatshkurtër shiu. Temperaturat mund të pësojnë ulje krejtësisht të lehta.
Nga mesi i javës fusha mjaft të fuqishme ajrore ciklonike depërtojnë nga Atlantiku duke kushtëzuar erëra dhe reshje shiu. Reshje mjaft të fuqishme shiu priten në Shqipëri dhe Mal të Zi ku mund të ketë edhe probleme për shkak të stuhive të fuqishme me bubullima. Reshje të herëpashershme priten edhe në Kosovë dhe Maqedoninë Veriore. Po ashtu do të ketë gjasa edhe për rrebeshe lokale shiu me vetëtima dhe bubullimë./MeteoBallkan