Sot në Kosovë pritet të mbajë mot kryesisht i vranët dhe i ftohtë. Rrallëkund priten reshje të pakta shiu, ndërsa në viset malore reshje të pakta bore. Pasdite priten intervale të shkurtra me diell, ndërsa gjatë natës kthjellim i pjesshëm i motit dhe potencial për ngrica të dobëta në ato vise ku eventualisht do të ketë kthjellim.
Në Shqipëri dhe rajon pritet të mbajë mot kryesisht i vranët dhe vende-vende me reshje shiu sidomos në gjysmën jugore të Shqipërisë dhe në territorin e Maqedonisë së Veriut. Në viset malore reshje bore, por në përgjithësi nuk priten reshje të mëdha. Në Mal të Zi priten kthjellime dhe intervale kohore me diell.
Të martën na pret mot i ngjashëm, me intervale kohore me diell dhe vranësira lokale. Vende-vende, herë pas here mund të ketë riga shiu ose fjolla bore në viset më të larta mbidetare. Të mërkurën na pret mot i vranët dhe me reshje shiu e bore në viset kodrinore-malore. Gjatë natës kthjellim gradual i motit.
Nga e enjta rritje e temperaturave. Priten intervale me diell dhe vranësira, ndërsa ditët e ardhshme herë pas here priten rrebeshe lokale shiu me vetëtima dhe bubullimë./MeteoBallkan