Sot në Kosovë pritet të mbajë mot plotësisht i vranët dhe me reshje të herëpashershme shiu. Herë pas here dhe vende-vende priten reshje të dendura shiu dhe do të ketë gjasa edhe për rrebeshe lokalisht të fuqishme shiu me vetëtima dhe bubullimë.
Në Shqipëri pritet mot kryesisht i vranët dhe me reshje lokale shiu dhe rrebeshe lokale me vetëtima dhe bubullimë.
Reshje të dendura shiu herë pas here priten edhe në Maqedoninë e Veriut, Luginën e Preshevës dje Mal të Zi.
Të martën reshjet do të dobësohen dukshëm, por temperaturat do të pësojnë ulje të lehta. Pritet mot kryesisht i vranët, po ka gjasa për intervale kohore me diell në disa rajone. Në ndonjë rajon ende mund të ketë riga shiu dhe fjolla bore në viset malore.
Të mërkurën stabilizim afatshkurtër i motit me mundësi për intervale kohore me diell, por shumë shpejt pritet të ketë shtim të sërishëm të konsiderueshëm të vranësirave të cilat nga e enjta do të na sjellin reshje të reja shiu. Vende-vende priten reshje të dendura, ndërsa në viset kodrinore-malore priten reshje bore./Meteoballkan