Rajoni ynë është “gllabëruar” nga cikloni që po kalon nga territoret tona në drejtim të Greqisë dhe Turqisë.
Për këtë arsye kemi vranësira të dendura dhe reshje shiu. Në këto çaste jemi nën ndikimin e plotë të kësaj mase ajrore ciklonike, ndërsa në mbrëmje do të kemi ulje të ndjeshme të temperaturave dhe reshje bore në shumë vise të Republikës së Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Luginës së Preshevës dhe gjysmës lindore të Shqipërisë.
Normalisht, reshjet e borës do të jenë të koncentruara në viset kodrinore-malore më shumë, por edhe në shumë ultësira do të kemi rastin të shohim reshje bore. Kjo nuk përfshinë të gjitha ultësirat, sidomos në zonat mesdhetare të rajonit dhe disa ultësira të Dukagjinit.
Me fillimin e largimit gradual të ciklonit në drejtim të juglindjes do të hapet rruga për frontin e ftohtë i cili sjellë intensifikim të erërave të ftohta veriore. Shumë shpejt në viset malore do të ketë reshje bore e në mbrëmje edhe në zona më të ulëta.
Dita e entje do të jetë mjaft e ftohtë dhe erëra të ftohta nga veriut. Ende priten reshje të herëpashershme bore në disa zona veçanërisht në ato kodrinore-malore, ndërsa vjen duke u fuqizuar masa e thatë ajrore anticiklonike e cila nga e premtja stabilizon atmosferën dhe kushtet e motit.
Mëngjeset e së premtes dhe së shtunës mund të na sjellin acar në zonat kontinentale, ndërsa përmirësim substancial të motit në të gjitha dimensionet do të kemi për fundjavë./MeteoBallkan