Një bërthamë e ajrit esktrem të ftohtë polar ka përfshirë sonte lindjen dhe verilindjen e Turqisë duke ulur ekstremisht temperaturat atje. Disa mediume “online” turke raportojnë se temperaturat janë ulur sonte deri në -38 gradë Celsius në disa fshatra në verilindje të vendit.
Ditëve të ardhshme Turqia do të goditet nga stuhi të fuqishme bore të cilat pritet të mbulojnë pothuajse tërë vendin nën petkun e bardhë dhe duke pas para sysh se çfarë territori të madh ka Turqia, normalisht është shumë e rrallë të shohësh tërë atë territor të mbuluar me borë. Viset bregdetare turke pritet të goditen nga stuhi dhe rrebeshe mjaft të fuqishme shiu me vetëtima dhe bubullimë dhe me rënjen e temperaturave reshje bore priten edhe në shumë vise bregdetare turke, madje edhe në ato vise ku bora është fenomen jashtëzakonisht i rrallë.
Gjatë 10 ditëve të ardhshme reshjet e dendura të borës do të “paralizojnë” shumë pjesë të Turqisë, sidomos viset kodrinore-malore ku në shumë vende priten nga 1 deri në 2 metra trashësi bore. Normalisht reshje kaq të mëdha nuk priten në të gjitha ultësirat e Turqisë.
Ajri i ftohtë që ka mbërthyer lindjen e Turqisë është shtrirë deri në verilindje të Irakut ku pati reshje të dendura bore edhe atje.
Dimri pritet të ashpërsohet edhe në Ballkan nga e premta, por për momentin nuk priten ekstreme sikur në Turqi./MeteoBallkan