Masa të ftohta ajrore me origjinë polare kanë filluar të depërtojnë sidomos në Kosovë nga nata e kaluar dhe dita e sotme duke kushtëzuar ulje të temperaturave. Në disa vise kodrinore-malore ka edhe fjolla bore, por në shumicën e territorit është thatë dhe pa reshje. Ndjesinë e të ftohtit po e shtojnë dukshëm edhe erërat mesatare deri të fuqishme veriore.
Mot i ngjashëm do të vazhdojë edhe ditëve të ardhshme, ndërsa nga fundjava pritet që masa edhe më të ftohta nga verilindja e Kontinentit të depërtojnë në Kosovë dhe rajon. Priten fjolla bore në Kosovë por nuk priten reshje të mëdha bore për shkak se i ftohti do të jetë i thatë për shkak të mungesës së ciklogjenezës në Detin Adriatik apo Jon. Anticikloni shumë i fuqishëm në Evropën perëndimore nuk do të lejojë që të krijohet ndonjë ciklon tek ne dhe në këtë mënyrë reshjet e fuqishme të dëborës nga kjo masë e ftohtë ajrore do të shkojnë në Turqi. Edhe tek ne do të ketë fjolla bore sidomos në viset kodrinore-malore ku mund të krijohen nga 10 deri në 15 cm trashësi, kurse nëpër ultësira reshjet e dëborës do të jenë simbolike.
Sidoqoftë temperaturat kanë filluar të ulën, kurse në fundjavë priten të depërtojnë masa mjaft të ftohta ajrore nga Siberia, por nuk pritet i ftohtë ekstrem. Temperaturat minimale do të ulën afërsisht nga -6 deri në -9 gradë Celsius, por erërat e ftohta veriore do të shtojnë ndjesinë subjektive të të ftohtit./Meteoballkan