Vendi ynë edhe gjatë ditës së nesërme do të vazhdojë të jetë nën ndikimin e masave të nxehta ajrore me origjinë nga Mesdheu dhe Afrika Veriore, megjithatë ashtu siç kemi paralajmëruar kaherë gjatë mbrëmjes pritet destabilizim i fuqishëm i motit si pasojë e ardhjes së një fronti të fuqishëm të ftohtë ajror nga veriu. Fillimisht do të ketë erëra të fuqishme jugore dhe jugperëndimore, kurse në mbrëmje vonë do të fillojnë erëra të fuqishme veriore dhe veriperëndimore. Reshjet do të fillojnë në formë shiu, vende -vende do të ketë edhe rrebeshe shiu me vetëtima dhe bubullimë. Me fillimin e erërave veriore reshjet e shiut do të shndërrohen shpejt në reshje bore në viset kodrinore-malore. Priten intervale reshjesh të dendura bore dhe do të pasojë ulja e temperaturave dhe depërtimi i masave të ftohta me origjinë polare.
Me uljen e temperaturave reshjet e borës do të fillojnë edhe nëpër ultësira, por në disa ultësira në Dukagjin dhe ndonjë rajon tjetër reshjet e borës mund të pengohen nga erërat e forta veriore. Në disa ultësira reshjet do të jenë përziera. Në viset kodrinore-malore por lokalisht edhe në disa vise tjera priten skena të vërteta dimërore. Reshjet do të ndërpriten herë pas here për të rifilluar përsëri në intervale të ndryshme kohore.
Reshje shiu dhe bore priten edhe në shumë pjesë të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe normalisht në Mal të Zi.
Të mërkurën ftohtë në tërë rajonin, vende-vende me reshje bore dhe erëra herë pas here mjaft të fuqishme veriore dhe veriperëndimore./Meteoballkan